Po lëvizim më pak e po ushqehemi më shumë. Mënyra e të jetuarit po shton të sëmurët nga zemra. Problemet kardiake sipas mjekëve nuk janë më sëmundje e moshës së shkuar. Në shërbimin e kardiologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë sipas shefit Artan Goda paraqiten pacientë dhe rreth të 30-tave.
“Ka shumë raste me infarkt akut të miokardit, por dhe goditje cerebrale që vijnë në moshë të mesme. Tek moshat nga 40-60 vjeç është shtuar numri për shkak të kequshqyerjes, pakësimit të lëvizjes, lëvizin më shumë me rrota se me këmbë, përdorimi i duhanit, drogave të tjera që shtojnë sëmundjet e enëve të gjakut në përgjithësi dhe zemrës në veçanti. Por nuk është më rast i jashtëzakonshmë infarkti apo sëmundjet e zemrës në dekadën e tretë të jetës, rritja e stresit me rritjen e mundësive që ka shoqëria sot ka sjell veç të mirave dhe më shumë sëmundje nga zemra”
Me rritjen e mirëqenies dhe jetëgjatësisë sëmundjet e zemrës janë kthyer në problemin kryesor me të cilin duhet të përballen sistemet shëndetësore. Ato jane shkaku kryesor i humbjeve të jetës.
“Nga sëmundjet kardiovaskulare mortaliteti total përfshinë 40%, të gjitha sëmundjet e tjera që çojnë në mortalitet janë 60%”
Prandaj mjekët apelojnë për të mos neglizhuar konsultën me specialistin në këto raste;
“Dhimbja e gjoksit është elementi i parë dhe i vetëm i formës më të avancuar të sëmundjeve të zemrës që është infarkti. Sa më shpejt të vijnë aq më i mirë rezultati sepse përfitimi është kur të sëmurët vijnë 6 orët e para pas fillimit të simptomave. Dy dekada më parë infarkti akut i miokardit mjekohej vetëm me kokrra, mortaliteti ishte 15% për atë që arrinte në spital, sot me përparimin e metodave dhe tek ne kryhet ndërhyrja në fazë akute të infarktit miokardit duke vendosur stendën dhe bën që mortaliteti të zbresë 3-4% të njerëzve e që vijnë më infarkt”
Për ndërhyrje të tilla Qendra Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë pret pacientë nga e gjithë Shqipëria. Fluksi i të sëmurëve sipas shefit të shërbimit të kardiologjisë vitet e fundit është shtuar, por ditëqendrimi i tyre në spital është ulur.