Në Shtiqën të Kukësit fermerët ndihen të falimentuar. Shumë prej tyre kanë hequr dorë nga sherbela, por edhe bizneset e tjera nuk u kanë funksionuar.
Sapo e pyet Nebiun, për programin e 100 fshatrave, pjesë e të cilit është edhe Shtiqni, ngre super dhe thotë vetëm atë se çfarë është përfolur në media.
“Kemi dëgjuar, por jemi të pamundur. Nuk ka gjë që nuk bëhet, problemi është se nuk janë mundësitë”, tha ai.
Nebiu ishte kultivuesi dhe prodhuesi më i madh fidanëve të sherebelës në Kukës e më gjerë, por hoqi dorë nga mungesa e tregut, mungesa e mbështetjes dhe subvencioneve dhe pamundësisë për shlyerje të kredisë ndaj ka vendosur të merret me bimë të tjera me më pak kosto.
“Sherebelja u eliminua për arsye të tregut se nuk ka. I kam heq sherbelën, kam fut haronjat. E kam ngritur zërin te Ministria e Bujqësisë, por nuk kam pasur përkrahje dhe nuk është në skemën e subvencioneve”, u shpreh ai.
E në fakt Nehbiu nuk është i vetmi fermer në këtë gjendje. Prag falimentimi është dhe Muhamet Muja që mbarshtron blegtori. I zhytur në kredi dhe pa mbështetje ka arritur deri këtu duke ndërtuar stallën, mjetet e mekanikës bujqësore, por pa mundur ta zhvillojë më tej.
“Në teori e dimë që është tek 100 fshatrat. Kemi një eksperiencë jo të mirë këto vite. Gjithçka kemi bërë e kemi bërë nëpërmjet kredive, të cilat i kemi marrë nëpërmjet interesave shumë të larta”, tha ai.
Për Muhametin, programi i 100 fshatrave mbetet një utopi e pa implementuar.
“Asnjë gjë vetëm llafe. Nuk ka asnjë zhvillim nga bujqësia, shumë pak. Nuk ka shteti dorë të na ndihmojë”, tha ai.
Sa më shumë banorë në Shtiqen pyet aq më pak dinë për këtë program. Shtiqni, një fshat ngjitur me qytetin e Kukësit, nuk u përzgjodh rastësisht në këtë program. I ka të gjitha resurset, fushën më të madhe në rajon, ujë të bollshëm, pemëtari e blegtori.
Autostrada e përshkon mes për mes. Ka aeroportin e plot mundësi të tjera. Ndaj u pa si mundësi për zhvillimin e agroturizmit përmes programit të qeverisë për 100 fshatrat.
Mirëpo që nga 2017 kur nisi ky program, asgjë konkrete nuk është ndërmarrë. Bashkia e Kukësit u tregua korrekte në studimin dhe hartimin e projekteve zhvillimore të Shtiqnit, që nuk janë pak, por plot 72 të tilla.
Por nga ana e qeverisë edhe pse u krijua bërthama brenda Këshillit të Ministrave me një koordinator kombëtar, duket se nuk është zbritur akoma në terren, të paktën në Kukës. Banorët e Shtiqnit janë skeptik. Pak nga pak po largohen edhe të rinjtë nga fshati, e duke lënë të moshuarit pa fuqi punëtore.
Gjithsesi Shtiqnin mbase do e zhvillojë vetë koha për shkak të pozitës gjeografike që ka. Emigrantët sjellin remitancat dhe pamja e tij ka ndryshuar me shtëpi e vila bashkëkohore, rrugë e ndriçim, ujë e sistem ujitje, kopshte e shkolla, por ende pa mundur të krijojnë atë për të cilin duhet të vijnë turistët.
Bujtinat, minirestorantet e vogla të traditës apo dhe mini-bizneset e agrokulturës dhe përpunimit. Kjo i takon politikave qeverisëse të përfshira në program e që deri më sot mbeti vetëm në letër.
Gazetar: Bujar Muçmata
ABC News Abania