Kosovë/ Opozita dënon dhunën në veri, bën thirrje për shtensionim

schedule23:04 - 29 Maj, 2023

schedule 23:04 - 29 Maj, 2023

Partitë opozitare në Kosovë kanë bërë thirrje për shtensionim të situatës në veri, si dhe kanë dënuar sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe gazetarëve.

Partia Demokratike të Kosovës (PDK), duke shprehur shqetësim për tensionet e krijuara, u kanë kërkuar krerëve institucionalë në Kosovë që të “ndikojnë në qetësimin e situatës, rikthimin e normalitetit dhe evitimin e përshkallëzimit të mëtutjeshëm të gjendjes”, shkruan REL.

“Rikthimi i normalitetit është parakusht i fillimit të një qeverisjeje komunale të mirëfilltë, gjithëpërfshirëse dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve të komunave në pjesën veriore të vendit”, thanë PDK në një deklaratë të postuar në Facebook.

Kjo parti, tha se “e kupton drejt seriozitetin e situatës dhe tensionin e ngritur në komunat e pjesës veriore të vendit” dhe ftoi presidenten e Kosovës Vjosa Osmanin dhe kryeministrin Albin Kurti që “të mbledhin urgjentisht Këshillin e Sigurisë së Kosovës”.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), thotë se veprimet e matura politike janë të domosdoshme për të evituar çfarëdo përshkallëzimi të mëtutjeshëm të situatës në komunat në veri.

“Koordinimi me miqtë tanë ndërkombëtarë është jetik. Institucionet e Kosovës duhet të sigurohen që asnjë veprim i mëtutjeshëm të mos bëhet pa koordinim të ngushtë me ta”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!