Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla i ka shkuar në zyrë kryetarit të ri të komunës së Leposaviçit, Lulzim Hetemi.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Sveçla u shpreh se i uroi punë të mbarë kryetarit të ri dhe se i uroi mbështetjen në ushtrimin e funksionit të tij.
Ndër të tjera, Sveçla theksoi se të gjithë së bashku do t’i kalojnë këto sfida dhe shtoi se do të vijojë angazhimi për të mirën e qytetarëve.
“Sot pata nderin të pritem në zyren e tij nga Lulzim Hetemi, Kryetari Komunës së Leposaviçit. I urova punë të mbarë dhe i ofrova gjithë mbështetjen time në ushtrimin e funksionit të tij, sipas mandatit të përcaktuar nga ligjet e Republikës së Kosovës. Bashkë do t’i kalojmë të gjitha sfidat e do të vazhdojmë angazhimin për të mirën e gjithë qytetarëve tanë”, shkruan Sveçla në Facebook.
Të premten, më 26 maj, kryetarët e rinj shqiptarë u asistuan nga Policia e Kosovës, pasi grupe të banorëve vendas kundërshtuan shkuarjen e tyre në zyrat, që më parë përdoreshin nga zyrtarët serbë.
Një ditë më herët, ata ishin betuar në shkolla dhe ndërtesa të tjera publike të këtyre komunave për shkaqe sigurie. Në Zveçan u dëgjuan edhe të shtëna armësh, ndërkaq Policia e Kosovës njoftoi se të paktën pesë zyrtarë policorë pësuan lëndime.
Rritja e tensioneve u dënua nga faktori ndërkombëtar, ndërkaq Serbia ngriti gatishmërinë luftarake.