Bllokohen 4 mjete lundruese nga Saranda në Shkodër, gjobiten pronarët e tyre

schedule11:53 - 27 Maj, 2023

schedule 11:53 - 27 Maj, 2023

Në kuadër të rritjes së sigurisë detare këtë të shtunë janë zhvilluar kontrolle intensive përgjatë gjithë vijës bregdetare dhe liqenore nga Saranda në Shkodër.

Shërbimet e Policisë Kufitare, në zbatim të planit të masave, të hartuar për forcimin e kontrolleve ndaj mjeteve lundruese për peshkim dhe atyre turistike, për të verifikuar ligjshmërinë e posedimit dhe drejtimit të këtyre mjeteve nga shtetas të ndryshëm, si dhe për parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, kanë intensifikuar kontrollet në të gjithë vijën bregdetare.

Sipas policisë mësohet se si rezultat i kontrolleve përgjatë vijës  bregdetare, nga Saranda deri në Velipojë, shërbimet e Policisë Kufitare kanë bllokuar 4 mjete lundruese (skafe), si dhe kanë ndëshkuar me masa administrative nga 10 000 deri në 20 000 lekë të rinj, drejtuesit e tyre, për mungesë të dokumentacionit në bord.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë Kufitare kanë bllokuar dhe kanë sekuestruar 1 skaf me motorë të fuqishëm.

Konkretisht, në Sarandë dhe në Vlorë, Policia Kufitare ka bllokuar 3 mjete lundruese dhe ka ndëshkuar me masë administrative, nga 10.000 lekë të rinj secili, drejtuesit e këtyre mjeteve, për mungesë të dokumentacionit në bord.

Në Durrës, shërbimet e Policisë Kufitare kanë bllokuar një mjet lundrues dhe kanë ndëshkuar me masë administrative 20 000 lekë të rinj, drejtuesin e tij, për mungesë dokumentacioni.

Në liqenin e Shkodrës, shërbimet e Policisë Kufitare kanë bllokuar dhe kanë sekuestruar një mjet lundures skaf me 2 motorë të fuqishëm që dyshohet se mund të përdorej për trafiqe të paligjshme. Vijon puna për dokumentimin e plotë të këtij rasti.

Ndërkohë policia Kufitare është e angazhuar maksimalisht dhe ka intensifikuar kontrollet në të gjithë vijën bregdetare të vendit, me qëllim rritjen e sigurisë detare, zbatimin e ligjit dhe rregullave të qarkullimit në det, si dhe për parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!