Mediat serbe publikojnë detaje të reja nga takim Vuçiç-Pompeo

schedule14:47 - 6 Shtator, 2019

schedule 14:47 - 6 Shtator, 2019

Mediat serbe vijojnë t’i kushtojnë hapësirë takimit të disa ditëve më parë mes presidentit Alëksandër Vucic dhe sekretarit amerikan të shtetit Majk Pompeo. Duke publikuar detaje të reja ndër të tjera renditen dhe ajo që i është premtuar kreut të shtetit serb nga Uashingtoni, në këmbim të njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, disa ditë më parë u takua në Uashington me sekretarin Amerikan të Shtetit, Majk Pompeo. Një takim ky që vijon të tërheqë mediat serbe. Kjo për faktin se një nga temat kryesore të bisedës ishte pikërisht dialogu Prishtinë-Beograd dhe mundësia e arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare mes palëve.

Në një deklaratë për media pas përfundimit të takimit, qëndrimi i sekretarit amerikan të shtetit ishte i qartë: marrëveshja përfundimtare mes dy vendeve duhet të përfundojë me njohje reciproke. Madje mediat serbe shkojnë dhe më tej duke pretenduar se Pompeo ka ushtruar presion ndaj Vuçiç, në mënyrë që ai të njohë pavarësinë e Kosovës.

Një gjë të tillë pohoi edhe vetë presidenti serb pas kthimit nga Uashingtoni, duke paralajmëruar se Serbinë e pret një vjeshtë e dimër i vështirë.

Aktualisht mediat serbe raportojnë, sipas burimeve të pakonfirmuara, se kreu i Shtëpisë së Bardhë Donald Tramp, i ka premtuar Serbisë disa dhurata nëse ajo do të njohë pavarësinë e Kosovës. Në një shkrim të gazetës “Informer”, thuhet se Trump do t’i dhurojë Serbisë një shumë prej 10 miliard dollarësh, 14 avionë luftarak të llojit F-16 dhe anëtarësimin ne Bashkimin Evropian deri në vitin 2024.

Sipas kësaj gazetë një ofertë e tillë e SHBA-së do të sillet në Serbi nëpërmjet të dërguarit special për Ballkanin Perëndimor, Metju Palmer. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!