Irani ka hequr dorë nga të gjitha detyrimet bërthamore dhe do të rinisë procesin e pasurimit të uraniumit njësoj si para marrëveshjes së vitit 2015. Megjithatë, presidenti Ruhani ka lënë të hapur opsionin e bisedimeve me Perëndimin, me kusht që partnerët europianë të bëjnë pjesën e tyre.
Irani do të heqë dorë nga çdo limit në kërkimin dhe zhvillimin e programit të tij bërthamor. Lajmin e ka bërë të ditur presidenti Hasan Ruhani, në një fjalim të transmetuar nga televizioni shtetëror.
Konkretisht, kreu i shtetit ka prezantuar atë që njihet si “faza e tretë” e tërheqjes së Republikës Islamike nga marrëveshja bërthamore. Ruhani ka urdhëruar organizatën për energjinë atomike që të marrë të gjitha masat e nevojshme për të rinisur si më parë aktivitetin e pasurimit të uraniumit dhe që të mos i përmbahet më asnjë angazhimi.
“Masat e reja janë marrë sepse nuk kemi arritur rezultatin që dëshironim me partnerët europianë në lidhje me marrëveshjen e 2015-s, sidomos me Francën”, ka shtuar Ruhani.
Sidoqoftë, pavarësisht përshkallëzimit të situatës, dyert për negociata mbeten të hapura. Ruhani ka saktësuar se shmangia e detyrimeve që rrjedhin nga akordi i 2015 do të shoqërohet me një interval prej dy muajsh, për të negociuar me Perëndimin dhe për të treguar që të gjitha masat e marra janë të revokueshme.
“Irani është gati të çojë përpara deri në fund të vitit negociatat me Francën”, ka thënë Ruhani. Parisi dhe Teherani do të vijojnë bisedimet për detajet e një kredie prej 15 miliardë dollarësh në 4 muaj, që do të garantohet me shitjen e naftës iraniane./ABC News Albania 24/7