ABC News ka siguruar momentin ku Habib Rexha largohet me vrap pasi ekzekutoi me një plumb në kokë Arjan Gosën pak ditë më parë në një lokal në qytetin e Kavajës. Siç shihet edhe nga pamjet nga kamerat e sigurisë, 31 vjeçari është me armën e krimit në dorë dhe largohet me vrap në drejtim të paditur.
Rexha u vetëdorëzua në polici ditën e djeshme. Në pranga ka rënë edhe shoku i tij, Ervis Kurti pasi e ka ndihmuar për t’u larguar pas vrasjes. 31-vjeçari ka deklaruar para grupit të hetimit se vrasjen e ka kryer pasi ai dhe familja e tij ndiheshin të kërcënuar dhe se miku i tij nuk kishte dijeni për ngjarjen.
Sipas tij, viktima Arjan Gosa kur ishte kthyer nga Italia ishte shprehur se do ta shuante familjen Rexha. Familja e tij ka shprehur frikën për një tjetër hakmarrje dhe ka kërkuar mbrojtje ndërkohë që babai i Arjan Gosës ka thënë në policinë e Kavajës se çështjen ia ka lënë në dorë drejtësisë.