Me bluzë me kapuç dhe pa e mbuluar fytyrën, dalin fotot e autorit pasi vrau me një plumb në kokë Arjan Gosën

schedule11:47 - 22 Maj, 2023

schedule 11:47 - 22 Maj, 2023

Kamerat e sigurisë kanë kapur momentin kur Habib Rexha largohet me vrap pasi ekzekutoi me një plumb në kokë 48 vjeçarin Arjan Gosa pasditen e djeshme në Kavajë. Nga pamjet e siguruara nga ABC News, shihet 31 vjeçari teksa largohet me vrap pas vrasjes ndërsa mban në dorë edhe armën e krimit.

Autori shihet i veshur me rroba të zeza dhe me një bluzë me kapuç ndërsa nuk e ka të mbuluar fytyrën. Rexha iu afrua Gosës teksa ishte duke pirë kafe me të atin në një lokal. Pasi është siguruar se është shënjestra e tij, ai e ka qëlluar me një plumb në kokë duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Policia ka ofruar 10 mijë euro për këdo që ka informacion për kapjen e tij. Por deri më tani nuk ka asnjë informacion rreth tij. Sipas policisë, pas vrasjes është është larguar drejt Durrësit dhe më pas drejt Kukësit. Familjarët janë shoqëruar në komisariat për t’u marrë në pyetje.

Ata kanë deklaruar se nuk kanë dijeni nëse 31 vjeçari është autor i kësaj ngjarjeje dhe se nuk kanë komunikuar me të. Por policia ka dyshime se familja mund të ketë komunikime me 31 vjeçarin dhe për këtë arsye kanë kërkuar që të negociojnë për t’u vetëdorëzuar./abcnews.al