Facebook do të gjobitet me më shumë se 746 milionë euro dhe do të pezullojë transferimet e të dhënave në SHBA pasi rregullatori irlandez po përgatitet të ndëshkojë Facebook-un për mënyrën se si ka trajtuar informacionet e përdoruesve.
Gjoba, e raportuar fillimisht nga Bloomberg dhe që pritet të konfirmohet së shpejti, do të vendosë një rekord për shkeljen e rregullores së përgjithshme të BE-së për mbrojtjen e të dhënave.
Vendimi i Komisionit të Mbrojtjes së të Dhënave në Irlandë, i cili është rregullatori kryesor i privatësisë për Facebook dhe kompaninë mëmë, Meta, në të gjithë BE-në, pritet të ndalojë transferimet e të dhënave të përdoruesve europianë drejt SHBA-së.
Vendimi lidhet me një sfidë ligjore mbi shqetësimet për të dhënat e përdoruesve europianë, sepse nuk mbrohen mjaftueshëm dhe transferohen drejt kompanive amerikane.
Johnny Ryan, një bashkëpunëtor në Këshillin Irlandez për Liritë Civile dhe një aktivist për mbrojtje më të fortë të të dhënave të përdoruesve të internetit, tha se një ndëshkim financiar mbi 746 milionë euro nuk do të mjaftonte nëse Facebook nuk do të ndryshonte rrënjësisht modelin e tij të biznesit.
Ky rast lidhet me një konflikt historik të ligjit të BE-së dhe SHBA-së, i cili është në proces zgjidhjeje përmes Kornizës së re të Privatësisë së të Dhënave BE-SHBA. Ne mirëpresim përparimin që politikëbërësit kanë bërë drejt sigurimit të transferimit të vazhdueshëm të të dhënave përtej kufijve dhe presim vendimin përfundimtar të rregullatorit për këtë çështje,” tha një zëdhënës i Meta.
/abcnews.al