Vendet më të varfra të botës drejt kolapsit për shkak të kredive të Kinës

schedule22:14 - 18 Maj, 2023

schedule 22:14 - 18 Maj, 2023

Dhjetëra vende të varfra po përballen me pasiguri ekonomike dhe madje edhe kolapsin për shkak të borxheve prej qindra miliarda dollarësh, pjesa më e madhe e tyre të huazuara nga kredidhënësja më e madhe e botës, Kina.

Një analizë e agjencisë së lajmeve Associated Press për dymbëdhjetë vende që kanë marrë kreditë më të mëdha nga Kina – ndër to Pakistani, Kenia, Zambia, Laosi dhe Mongolia – zbuloi se shlyerja e borxhit konsumon një pjesë gjithnjë e më të madhe të të ardhurave nga taksat, të cilat nevojiten për të mbajtur shkollat të hapura, për furnizimin me energji, për ushqimet apo karburantin. Gjithashtu kjo po shteron edhe rezervat në valutën e huaj, që disa nga këto vende e përdorin për të paguar interesat për këto kredi, duke i lënë kështu disa prej vendeve me vetëm pak muaj të mbetur përpara se këto rezerva të mbarojnë.

Në prapaskenë është ngurrimi i Kinës për të falur borxhe dhe ruajtja në kushte ekstreme sekreti të informacionit për sasinë e parave të huazuara dhe kushteve me të cilat ato janë dhënë. Kjo i ka detyruar edhe kredidhënësit e tjerë të mëdhenj që të mos ofrojnë më ndihmë. Për më tepër, rishtazi u mësua se vendet kredimarrëse janë shtrënguar të fusin para në llogari të fshehta që u japin prioritet pagesave për kreditë e Kinës, në krahasim me kreditorët e tjerë, shkruan VOA.

Vendet e analizuara nga agjencia e lajmeve Associated Press kanë marrë deri në 50% të borxhit të huaj nga Kina. Pjesa më e madhe e tyre po përdorin mbi një të tretën e të ardhurave të qeverisë për të paguar borxhin e jashtëm. Dy prej tyre, Zambia dhe Sri Lanka, kanë shpallur tashmë pamundësinë për të paguar as interesin për kreditë që financuan ndërtimin e porteve, minierave dhe centraleve të energjisë.

Në Pakistan, miliona punonjës tekstilesh janë hequr nga puna për shkak se vendi ka borxhe të huaja shumë të mëdha dhe nuk përballon dot furnizimin me elektricitet për makineritë e tekstilit.

Në Kenia, qeveria nuk ka dhënë rrogat për mijëra punonjës të shërbimit civil, në mënyrë që të kursejë para për të paguar borxhin e jashtëm. Këshilltari kryesor ekonomik i presidentit të vendit shkruajti në Twitter muajin e kaluar: “Rroga apo falimentim? Zgjidhni juve”.

Që nga falimentimi i Sri Lankas vitin e kaluar, gjysmë milioni vende pune janë zhdukur, inflacioni ka arritur në 50% dhe mbi gjysma e popullsisë në shumë pjesë të vendit është zhytur në varfëri.

Ekspertët parashikojnë se nëse Kina nuk fillon të zbusë qëndrimin e saj për huatë e dhëna vendeve të varfëra, atëherë mund të ketë një valë falimentimesh të tjera dhe trazira politike.

“Në shumë vende të botës, ora ka arritur mesnatën”, thotë ekonomisti i Universitetit të Harvardit, Ken Rogoff. “Ka hyrë në lojë Kina dhe ka lënë këtë paqëndrueshmëri gjeopolitike që mund të ketë pasoja afatgjata”.