Presidenti kinez Xi Jinping mirëpret sot homologët e tij nga pesë ish-republikat sovjetike në Azinë qendrore për një samit historik që synon forcimin e lidhjeve rajonale, ndërsa Joe Biden takohet me krerët e Grupit të Shtatë (G7) në Japoni.
Në një zgjedhje simbolike, samiti, i përshkruar si “jashtëzakonisht i rëndësishëm” nga Pekini, po mbahet në qytetin e madh historik të Xi’an (Kina veriore), skaji lindor i rrugës së lashtë të Mëndafshit që lidhte Europën dhe Kinën përmes Azisë Qendrore.
Ky është takimi i parë që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike, pas rënies së Bashkimit Sovjetik.
Më parë anëtarë të Perandorisë Ruse dhe më pas të Bashkimit Sovjetik, këto vende (Kazakistani, Kirgistani, Taxhikistani, Turkmenistani dhe Uzbekistani) kanë pasur marrëdhënie të mira ekonomike dhe diplomatike me Moskën.
Megjithatë, me luftën në Ukrainë, ndikimi rus ra, duke krijuar një boshllëk, të cilin presidenti kinez duket i gatshëm ta mbushë, aq më tepër që sipas ekspertëve, ai dëshiron të zhvillojë prestigjin e tij ndërkombëtar dhe ndikimin e vendit të tij.
Samiti po mbahet pothuajse në të njëjtën kohë me takimin në Hiroshima të liderëve të grupit të shtatë (G7) të vendeve më të zhvilluara industriale (Kanada, Francë, Shtetet e Bashkuara, Gjermani, Itali, Japoni, Mbretëri e Bashkuar).
/abcnews.al