Anulimi i samitit të “Quad”, një fitore për Kinën dhe goditje për pozitën e SHBA-së në Paqësor

schedule11:41 - 17 Maj, 2023

schedule 11:41 - 17 Maj, 2023

Nga Daniel Hurst, The Guardian

Qeveria kineze është ndoshta fituesi më i madh nga vendimi i Joe Biden për të anuluar udhëtimin e tij në Australi dhe Papua Guinea e Re, duke detyruar në këtë mënyrë edhe vetë anulimin e samitit Quad në Sidnei.

Mediat kineze nuk do të ngurojnë të shpalosin disa nga narrativat më të preferuara të tyre se SHBA është tepër e zënë me punët e brendshme të vendit dhe se është një partner aspak i besueshëm, i cili i lë aleatët e tij në baltë.

Për t’i bërë gjërat akoma dhe me të rënda për pozitën e SHBA-së në rajon, vizita e planifikuar e Biden të hënën ishte cilësuar si një deklaratë e qartë e qëllimit për angazhimin e tij ndaj Paqësorit mes konkurrencës në rritje dhe me ndikim të Kinës.

Presidenti amerikan Joe Biden ka anuluar vizitën e tij në Australi për t’u marrë me çështjet e brendshme që lidhen me tavanin e borxhit. Diplomatët veteranë amerikanë thonë se qeveritë australiane dhe të Papa Guinea e RE do të zhgënjehen veçanërisht nga vendimi i Biden për t’u fokusuar në zgjidhjen e ngërçit politik mbi tavanin e borxhit.

“Do të shihet në rajon si një plagë e vetë-shkaktuar  nga polarizimi politik në Uashington që nuk reflekton mirë në besueshmërinë e Amerikës si partner,” tha Daniel Russel, një ish-ndihmës sekretar i shtetit të SHBA për çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit.

Për më shumë se një javë, kishte spekulime që Biden mund të anulonte udhëtimin e tij të planifikuar në rajon për të negociuar një marrëveshje me republikanët në Kongres për të parandaluar dështimin e SHBA-së për tavanin e borxhit, raporton abcnews.al.

Një rezultat i tillë do të bënte që miliona punëtorë të mbeten të papaguar në SHBA, por gjithashtu do të kishte pasoja të rënda për ekonominë globale. Gjërat dukeshin edhe më të sigurta të martën, kur qeveria australiane njoftoi në koordinim të ngushtë me SHBA-në, se Biden do të mbërrinte në Canberra një ditë përpara samitit Quad për të mbajtur një fjalim në një seancë të përbashkët të parlamentit.

“Jam i kënaqur që Presidenti Biden pranoi ftesën time për t’iu drejtuar parlamentit,” tha kryeministri, Anthony Albanese, në një deklaratë të lëshuar të martën mbrëma. Ai gjithashtu deklaroi se samiti Quad do të ishte “mbledhja më e madhe, më domethënëse në Australi që kur organizuam G20 një dekadë më parë”.

Por rreth orës 4:30 të mëngjesit të së mërkurës, telefoni i Albanese kishte filluar të ziente. Dyshja folën para orës 6 të mëngjesit dhe Biden kërkoi falje që tani do t’i duhej ta shtynte këtë vizitë për shkak të vështirësive  me të cilat po përballet në negociatat e tij me Kongresin Amerikan, tha Albanese.

Pas disa orësh diskutimesh të mëtejshme nëse do të vazhdohej me samitin e Sidneit, por me dërgimin e dikujt tjetër në vend të Bidenit, Albanese njoftoi se e gjithë puna kishte përfunduar.

Albanese, i cili tashmë po planifikonte të shkonte në samitin e G7 në Hiroshima si i ftuar i kryeministrit japonez, Fumio Kishida  tha se katër liderët e Quad do të “përpiqeshin të mblidheshin së bashku gjatë asaj periudhe kohore”.

Të gjithë të përfshirët do të shprehin publikisht mirëkuptimin për vështirësitë politike të Biden-it, Albanese, për shembull, tha se ishte “absolutisht i sigurt” se “presidenti me siguri do të donte që kjo të mos ndodhte”  por anulimi është padyshim një goditje për mikpritësit australianë.

Zyrtarët kishin shpenzuar muaj të tërë duke planifikuar operacionin e madh logjistik dhe të sigurisë; Buxheti i tetorit të kaluar vuri mënjanë 23 milion dollarë për kostot e organizimit të samitit.

Por duke qenë se Quad kishte për qëllim, pjesërisht, të dërgonte një sinjal të unitetit të qëllimit në një kohë kur një Kinë gjithnjë e më e fuqishme po sfidonte normat rajonale, ai projekt duket se ka pësuar një pengesë të përkohshme.

/abcnews.al