Sot pasdite pritet të nisë Sesioni i ri parlamentar. Konferenca e kryetareve e mbledhur sot paradite ka miratuar kalendarin 3 javor të punimeve në seancë plenare.
Maxhoranca do t’i shpenzojë të gjithë energjitë e saj në nisje të këtij sesioni në luftën e ftohtë me Presidentin e Republikës, Ilir Meta. Konferenca e Kryetarëve u mblodh paraditen e sotme dhe ka miratuar kalandarin 3 javor të punimeve të Parlamentit ku kryefjalë e punës së deputetëve të maxhorancës do të jetë ngritja e kartonit të kuq për dekretet e kreut të shtetit. Konferenca e Kryetarëve e drejtuar nga kryeparlamentari Gramoz Ruçi vendosi të rrëzojë brenda 2 seancave të shtatorit, 9 dekrete të Kreut të Shtetit, përmes të cilave ktheu për rishqyrtim në Kuvend disa ligje të rëndësishme.
Në seancën e 12 shtatorit shumica do të refuzojë të marrë parasysh sugjerimet dhe konstatimet e Kreut të Shtetit, duke rrëzuar njëri pas tjetrit dekret për projektligjin “Për rezervat materiale të shtetit”, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim të shoqërive tregtare”,. “Për vetëqeverisjen vendore” dhe projekltigjin për “Planifikimin dhe zhvillimin e territorit”.
Ndërkohë që një seancë e nxehtë pritet të jetë ajo e 19 shtatorit, ku shumica do të rrëzojë 5 dekrete të tjera presidenciale. Ndryshimet në Kodin Penal për të cilin Presidenti Meta dhe kreu i grupit të PS, Balla shkëmbyen edhe replika në distancë do të miratohet i pandryshuar. I njëjti vendim është marrë edhe për Projekligjin për Akademinë e Shkencave dhe atë “Për koncensionet dhe partneritetin publik privat”. Socialistët do të miratojnë sërish dy kontratat koncensionare për rrugët Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat.
Kjo do të jetë seanca e parë ku opozita tradicionale do të mungojë jo vetëm fizikisht, por edhe si pjesë e Parlamentit të Shqipërisë. Partia Demokratike dhe aleatët e saj kanë intensifikuar takimet me ndërkombëtarët ndërkohë që maxhoranca do të vijojë axhendën e saj politike duke refuzuar pranimin e faktit se vendi është në krizë politike. /ABC News Albania 24/7