Arrestimi i Fredi Belerit, policia e Vlorës: Kemi prova për shit-blerje votash

schedule14:05 - 12 Maj, 2023

schedule 14:05 - 12 Maj, 2023

Drejtuesi i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë  Auel Zarka mesditën e kësaj të premteje ka reaguar në lidhje me arrestimin e kandidatit për kryebashkiak të Himarës Fredi Beleri.

Zarka në deklaratën e tij për mediat ka theksuar se ky është një hetim që ka nisur me datë 8 maj dhe në bazë të fakteve të mbledhura është bërë dhe arrestimi i këtyre tre shtetasve.

Sipas tij në bazë të hetimit është bërë dhe ndalimi i këtyre tre shtetasve mes tyre kandidati për kryebashkiak dhe është sekuestruar një shumë prej 40 mijë lekësh të rinj.

 

“Nga aktet e administruara deri më tani në funksion të hetimit për këtë procedim penal, nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, informacione në lidhje me disa shtetas të dyshuar të përfshirë në veprimtarinë e kundërligjshme të shit-blerjes së votës, për zgjedhjet vendore të datës 14 maj 2023, në qytetin e Himarës dhe në fshatrat që janë pjesë e bashkisë Himarë, duke iu ofruar qytetarëve të ndryshëm, shuma të caktuara parash kundrejt dhënies së votës për një nga kandidatët konkurues.

Pas regjistrimit të procedimit penal, nga ana e prokurorit është autorizuar kryerja e një sërë veprimesh procedurale në terren, me anë të përdorimit të metodave speciale të hetimit, me qëllim konstatimin e faktit penal për të cilin është regjistruar ky procedim penal.

Pas kryerjes së një sërë veprimesh nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, bazuar në faktet e mbledhura gjatë hetimit dhe në provat e siguruara në dinamikë, me anë të përdorimit të metodave speciale të hetimit, në kuadër të operacionit policor të koduar “Matrix”, është bërë në arrestimi në flagrancë i shtetasve:     

Dh. B. alias A. B., 51 vjeç, dhe P. K., 44 vjeç, për veprën penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 328, 25 i Kodit Penal.  

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një shumë monetare prej 40 000 lekësh të rinj”, ka thënë ai.

Ndalimi i Belerit është bërë mesnatën e kaluar në ambientet e një lokali ku dyshohet se kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, bashkë me dy bashkëpuntorë të tjera po diskutonte për shit-blerjen e votave në zgjedhjet e 14 majit./abcnews.al