Kufiri i SHBA- së me Meksikën “nuk është i hapur”, paralajmëroi sot Sekretari amerikan i Sigurisë Kombëtare, teksa vendi i tij përgatitet të heqë, brenda orëve të ardhshme, një masë që u mor gjatë periudhës së pandemisë dhe kufizoi hyrjen e emigrantëve në tokën amerikane.
“Dua të jem i qartë: kufijtë tanë nuk janë të hapur. Njerëzit që kalojnë kufirin në mënyrë të parregullt dhe pa asnjë bazë ligjore për të qëndruar do të deportohen menjëherë”, tha Alejandro Mayorkas në një konferencë për shtyp.
Mayorkas tha se disa zona të kufirit tashmë po shohin një fluks njerëzish që duan të hyjnë në SHBA dhe vuri në dukje se do të duhet pak kohë që qasja e re e administratës amerikane ndaj imigracionit të funksionojë dhe të sjellë rezultate. Ai vuri në dukje se familjet e emigrantëve që nuk plotësojnë kriteret për t’u pajisur me azil do të riatdhesohen brenda 30 ditëve.
Tashmë numri i emigrantëve është rritur. Ditët e fundit, Dogana dhe Mbrojtja Kufitare (CBP) ka mbajtur deri në 28,000 emigrantë në objektet e saj, më shumë sesa mund të përballojë, sipas dy zyrtarëve federalë që folën në kushte anonimiteti dhe Shoqatës së Patrullës Kufitare. Qendrat e paraburgimit ku janë përqendruar shumica janë Lugina e Rio Grande në Teksas dhe dy të tjera në Arizona, sipas presidentit të Patrullës Kufitare Brandon Judd. Këtë javë, numri i personave që kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme ka kaluar 10,000 në ditë.
Në Yuma, Arizona, qindra emigrantë prisnin në të ftohtin e acartë që nga agimi në gardhin kufitar për t’u dorëzuar agjentëve amerikanë.
Sipas një mase të marsit 2020 të quajtur Titulli 42 , e cila do të skadojë në mesnatë (koha e Uashingtonit), qindra mijëra emigrantë do deportohen nga SHBA në Meksikë. Por për shkak se Meksika pranon vetëm meksikanë dhe disa qytetarë nga vendet e Amerikës Qendrore, së fundmi nga Venezuela, Kuba, Haiti dhe Nikaragua, emigrantë nga vende të tjera qëndruan në SHBA dhe u përpoqën të kërkonin qëndrim të ligjshëm.
Kjo do të ndryshojë pasi, sipas politikës së re të administratës Biden, SHBA do t’u mohojë azilin pothuajse të gjithë emigrantëve që kalojnë kufirin ilegalisht. Ata që kanë kaluar nëpër vende të tjera, të konsideruara “të sigurta” në rrugën e tyre dhe nuk kanë kërkuar mbrojtje prej tyre do të përjashtohen. /abcnews.al