Pasditen e sotme, Drejtoria Vendore e Policisë së Tiranës ka bërë publike masat që forcat e rendit kanë marrë në kuadër të derbit Tirana-Partizani, që do të zhvillohet në kryeqytet pasditen e 17 majit.
Ndeshja në fjalë është më vendimtarja për përcaktimin e titullit kampion të Abissnet Superiore dhe pritet që tribunat e stadiumin “Air Albania” të jenë të tejmbushura me tifozët nga të dyja skuadrat, të cilat jo në pak raste janë kthyer në një problem serioz për forcat e rendit.
Kështu, Drejtoria e Policisë së Tiranës ka bërë të qartë se do të ketë masa të rrepte sigurie si në hyrjen në stadium të të dy tifozerive, por edhe për ndalimin e futjes brenda në stadium të mjeteve të ndaluara.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Policia e Tiranës ka hartuar plan masash për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes së futbollit midis ekipeve të futbollit “Partizani” dhe “Tirana”, që do të zhvillohet më datë 17.05.2023, në orën 18:30, në stadiumin “Air Albania”.
Masat e marra nga Policia e Tiranës konsistojnë jo vetëm në ambientet e stadiumit, por dhe në një perimetër më të gjerë jashtë tij.
Në këtë kuadër do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore dhe itinerare të përcaktuara për lëvizjen e tifozëve të dy skuadrave.
Segmentet rrugore që do të jenë të bllokuara, nga ora 16:00 deri në përfundim të aktivitetit, janë:
– Rruga “Lek Dukagjini”, përreth stadiumit, rruga “Dervish Hima”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Papa Gjon Pali II”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri tek stadiumi “Air Albania” , bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga Presidenca deri te sheshi “Nënë Tereza”.
Rrugëkalimet e tifozëve do të jenë si më poshtë:
– Lëvizja e tifozëve të Partizanit do të bëhet nga kryqëzimi i rrugës “Muhamet Gjollesha” me rrugën “Artan Lenja”, përgjatë rrugës “Muhamet Gjollesha”, rruga “Sulejman Delvina”, “Libri Universitar” pas Presidencës rruga “Gjergj Filipi” – stadiumi;
– Lëvizja e tifozëve të Tiranës do të bëhet nga sheshi “Skënderbej”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit, rruga “Bajram Curri”, rruga “Papa “Gjon Pali” – stadiumi.
Policia do të garantojë dhe do të sigurojë lëvizjen e tifozëve përgjatë rrugëkalimeve të caktuara dhe nuk do të lejojë grumbullim apo kalim të tifozëve, jashtë itinerarit të caktuar.
Po në zbatim të planit të masave, do të ushtrohen kontrolle ndaj tifozëve, para hyrjes në stadium, për sende të kundërligjshme (sende të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalik apo lëndë piroteknike etj). Çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi.
Nuk do të lejohen të futen në stadium shtetas pa dokument identifikimi, si dhe fëmijët nën moshën 16 vjeç, pa praninë e prindit apo kujdestarit (shoqëruar me dokument).
Tifozët duhet të kenë me vete dokument identifikimi ose në të kundërt nuk do të lejohet hyrja në ambientet e stadiumit.
Gjithashtu, nuk do të lejohen të futen në stadium të gjithë ata tifozë të cilët në aktivitete të ndryshme sportive janë të identifikuar nga Policia, si tifozë problematikë.
Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e tifozerive respektive, për zbatimin e detyrimeve të mësipërme, si dhe mirëkuptimin e qytetarëve për të evituar lëvizjen me automjete në segmentet rrugore të lartpërmendura, në oraret e caktuara.