Dënoi 8 kuksianë “në emër të partisë”, ABC News zbulon dosjen e “kuqe” të të atit të kandidatit të Kukësit

schedule13:00 - 11 Maj, 2023

schedule 13:00 - 11 Maj, 2023

Megjithë retorikën antikomuniste, kandidatët e “Bashkë Fitojmë, kanë hije të forta në të shkuarën e tyre. ABC News zbulon dosjen e deklasifikuar të babait të kandidatit të opozitës për bashkinë e Kukësit. I ati i Admir Sinamatit është ndër gjykatësit që kanë ndëshkuar me dënime të rënda, së paku 8 persona për agjitacion propagandë gjatë viteve të regjimit të Enver Hoxhës.

Dr. Shk. Admir Sinamati u lind në Bicaj, Kukës më 27.02.1976.  Është lindur nga prindër punëtorë, rritur në një familje të thjeshtë nën përkujdesjen dhe përkëdheljet e vëllait dhe gjashtë motrave.”

Kështu u prezantohet zgjedhësve të tij Admir Sinamati kandidati i koalicionit “Bashkë fitojmë” për bashkinë e Kukësit. Por në prezantimin e tij kandidati i Sali Berishës nuk ka treguar të gjithë të vërtetën. Belul Sinamati mund të ketë qënë vërtet punëtor, ashtu siç thotë në prezantim kandidati i “Bashkë fitojmë”, por puna që ai ka bërë gjatë regjimit komunist, i ka kushtuar lirinë 8 qytetarëve kuksianë. Sipas dokumentave të autoritetit të dosjeve të siguruara nga ABC News, rezulton se Belul Sinamati, ka qenë anëtar i trupit gjykues që ka dhënë dënime në vitin 1982, për 8 qytetarë kuksianë për veprën penale “Agjetacion e propaganda”. Por situata e babait të ndjerë të kandidatit të Berishës, rëndohet edhe më shumë kur zbulohet shkaku i dënimeve,

Në dosjen hetimore thuhet se këta persona kanë synuar të rrëzojnë regjimin e kohës dhe sipas prokurorisë kanë qënë të betuar si armiq të pushtetit popullor. Sipas këtij dokumenti, thuhet se i pandehuri Bajram Gjana që është dënuar nga babai I kandidatit të Berishës, në vazhdim të veprimtarisë së tij armiqësore bisedon me një tjetër të pandehur shtetasin Shemsi Domi duke I propoganduar se sistemi I kolektivizimit të bujqësisë ka varfëruar popullin.

Një tjetër person që u dënua me firmën e Belul Sinamatit është shtetasit Raif Elezi. “Duke dashur të çojë më tej veprimtarinë e tij armiqësore ndaj rendit tonë socialist, bisedon me kolegun e tij të punës të cilit i shpreh pakënaqësitë dhe urrjetjen që kishte kundra partisë dhe pushtetit popullor dhe arrin deri atj sa ti thotë se me 100 veta ka mundësi marrin Kukësin. Qëllimi i këtij të pandehuri ishte që të bënte për vete edhe Muharrem Selmainin e së bashku me të të propogandonin sa të jetë e mundur kundër çdo fitore të pushtetit popullor, qoftë në fushën politike dhe atë ekonomike”.

Në kërkesën e prokurorisë që u pranua nga gjykata e kohës thuhet se të pandehurit kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin kundër udhëheqjes së partisë.

Të pandehurit si element me përbërje të keqe politike tek të cilët manifestoheshin në mënyrë të thkesuat mëndje-madhësia, kapadaillëku dhe bajraktarizimi, kanë shprehur urrejtjen e tyre dhe kanë agjituar në mes njëri-tjetrit dhe në persona të ndryshëm kundër udhëheqies së partisë dhe pushtetit.”

Edhe pse prokuroria e kohës nuk ka patur asnjë provë për dënimin e këtyre personave në fund trupi gjykues pjesë e së cilës ishte edhe babai i Admir Sinamatit, Belul Sinamati kanë dënuar me nga 12 vite heqje lirie bashkëqytetarët e tyre.