Familja Qerimaj është ikona e intrumentistëve të Shqipërisë, pasi nga ajo kanë dalë plot 3 breza artistësh. Gjatë një interviste për emisionin “Pas Mesnate” në ekranin e ABC News, violinisti i njohur dhe pedagogu i Universitetit të Arteve, Fatos Qerimaj, ka treguar se familja ka ecur gjithmonë bashkë sepse kanë ruajtur stilin e tyre dhe nuk kanë devijuar.
Sipas tij, ata jetojnë me instrumentin dhe kjo është shumë e rëndësishme.
“Nuk kemi qene ekstravagant apo rebel që të devijojmë, por kemi ecur krahë për krahë.
Që luajmë muzikë, jemi 5 anëtarë të familjes, dmth është vëllai im Bruno, janë dy vajzat e tij, Klodi dhe Liesa, është djali im Valini, jam unë. Nga ana tjetër kemi xhaxhain dhe djalin e tij, edhe ata janë të mrekullueshëm. Pra jemi një formacion, ku mbizotëron violina, harku i famshëm që e kanë përvetësuar dhe me të jetojnë. Është shumë e rëndësishme të jetosh me instrumentin”, u shpreh Fatosi.
Më tej, ai zbuloi se kanë në plan që në shtator në nder të 1-vjetorit të ndarjes nga jeta të babait të tij, trungut të familjes, Ethem Qerimajt, kanë në plan të zhvillojnë një koncert të gjithë bashkë.
“Për të realizuar një koncert, kërkon një ide. Kemi menduar që të kujtojmë 1-vjetorin e Ethemin. Kemi menduar një aktivitet të tillë në nder të tij. E vetmja gjë që do të kërkojë kjo, mendoj një teknologji të avancuar. Do të realizohet në shtator se është edhe 1-vjetori i ndarjes nga jeta”, tha artisti./abcnews.al