Etnografja Afërdita Onuzi ka deklaruar se pas xhubletës shqiptarët duhet të luftojnë fort për të pasur në UNESCO veshjen e grave ortodokse të qytetit të Beratit. Ajo ka thënë në emisionin “Pas Mesnate” në ekranin e ABC News, se dokumenton një periudhë të hershme të qytetërimit, siç është mesjeta.
Sipas Onuzit, një veshje të tillë e ka parë edhe në vende të tjera Ballkanike, por siç është ruajtur në Berat nuk e ka asnjë shtet tjetër.
“Kemi ca gjurmë, pas xhubletës le të themi, historike në veshjet tona popullore. Janë disa veshje qytetare, një veshje qytetare le të themi, e cila nuk është një prodhim siç ka historinë xhubleta, por ajo dokumenton një periudhë të hershme të qytetërimit, të themi një mesjetë. Për mua veshja e qytetit të Beratit e grave ortodokse dhe krahas saj dhe jam në dilemën për veshjen e Lunxhërisë, mua gjithnjë më japin kënaqësi të veçantë për të treguar si kanë jetuar dikur në Shqipëri shtresat qytetare. Dmth ne ishim të një niveli dhe me perandoritë e kohës, me modën e Perandorisë Bizantine që siç dihet ka rrezatuar me artin luksoz dhe këto sjellin jehonën e një kohe shumë të hershme. Me atë luksin e vetë, kemi disa veshje, qendisje të Beratit që janë nga shekulli 15-16 të kësaj kohe që na sjellin atë jehonë. Unë kam parë edhe në vendet e tjera Ballkanike, po ashtu siç i kemi ruajtur ne në Berat për hir të së vërtetës unë nuk kam parë”, u shpreh ajo./abcnews.al