Në një video të bërë publike shihet qartë një person i cili bën pazar për shit blerje votash.
Personi që shihni në këtë video quhet Agron Duro. Ai po bisedonte me Kristi Agalliun, koordinatorin e Partisë së Lirisë në Kuçovë të cilit i thoshte se do sillte votues nga Kuçova drejt Tiranës.
Për këtë Duro kërkonte 150 mijë lekë të vjetra për 4 vota, nga të cilat 50 mijë lekë do të përdoreshin për naftë.
Në fund kompromisi arrihet duke gjetur gjuhën për pazarin e fundit.
Policia ka arrestuar 52 vjecarin Kristi Agalliu dhe po heton në gjendje të lirë Agron Duron.
Njoftimi i policisë
Tiranë
Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Korrupsionit në DVP Tiranë, operacioni policor i koduar “Premtuesi”.
Arrestohet në flagrancë një shtetas, si dhe procedohet penalisht një tjetër, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, komunikonin për shit-blerje votash për një subjekt politik.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Korrupsionit në DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e çdo paligjshmërie, bazuar në pamjet filmike të postuara në portale, në të cilat shfaqet një shtetas që komunikon për shit-blerje votash, menjëherë kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Premtuesi”.
Si rezultat, u bë arrestimi i shtetasit K. A., 52 vjeç, banues në Tiranë, si dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. D., 61 vjeç, banues në Tiranë.
Këta shtetas janë shfaqur në një video, duke komunikuar me njëri-tjetrin, për shit-blerje votash për një subjekt politik.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për veprime të mëtejshme.