Mjekët shërbejnë ku do vendi, firmosin kontratë me Ministrinë e Shëndetësisë 118 mjekë specializantë

schedule12:15 - 9 Maj, 2023

schedule 12:15 - 9 Maj, 2023

118 mjekë që fillojnë këtë vit specializimin 4-vjeçar në Mjekësi, kanë nënshkruar ditën e sotme kontratat dy-palëshe me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për të shërbyer aty ku ka nevojë vendi, pas përfundimit të studimeve.

Duke vlerësuar mjekët e rinj, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e ka konsideruar këtë hap, një siguri për të ardhmen, për të plotësuar nevojat e sistemit publik me mjekë specialistë.

“Nënshkrimi i marrëveshjeve me ju që jeni mjekë që filloni specializimin këtë vit, në 2023 dhe e përfundoni në vitin 2027, është një pikë kulmore për ju dhe një garanci për qytetarët tanë, që e ardhmja do të jetë më e sigurt në plotësimin e nevojave për mjekë specialistë kudo në vendin tonë. Sigurisht që ne sot kemi mundësi që jo vetëm të hapim specializimet çdo vit, por mbi të gjitha që këto specializime që ne hapim të jenë të vlerësuar në aspektin e profesionit”,- tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu tha se rritja e pagave për specializantët dhe më tej mjekët specialistë, është një vlerësim dhe siguron punë dinjitoze për bluzat e bardha.

“Nxitja dhe motivimi më i madh këtë vit ka qenë pikërisht mbështetja nëpërmjet rritjes së pagës për mjekët specialistë, rritja historike e pagave është realizuar tashmë duke u rritur në 500 dollarë në muaj. Rritja është bërë efektive edhe për ju. Për katër vite gjatë formimit tuaj do të merrni 80% të pagës së mjekut specialist, duke vajtur kjo rritje rreth 1 mijë euro në muaj për çdo specializant, i cili është me kontratë me Ministrinë e Shëndetësisë”,- tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu nënvizoi se falë investimeve në QSUT, sot janë garantuar standarde europiane për edukimin e mjekëve të rinj.

“Eshtë garantuar formimi juaj në kushte dhe standarte europiane. Ne jemi krenarë që këtë vit ju do të jeni mjekët e parë të cilët do të specializoheni në spitalet tona të reja, sikurse është Spitali Qendror në QSUT apo Spitali Infektiv apo Spitali Pediatrik në QSUT, të cilat janë spitale që garantojnë më shumë shërbime për njerëzit. Pra dua të siguroj edhe njëhere të gjithë ju që formimi juaj në ciklin e specializimeve do të ketë jo vetëm aspektin mësimor që bëhet nga pedagogët e Universitetit të Mjeksisë, por edhe aspektin teknik aty ku ju do të ushtroni profesionin tuaj edhe do mësoni atë që janë baza juaj”,- u shpreh Manastirliu.

Duke folur për Strategjinë ’20- ’30 në shëndetësi, Manastirliu tha se fokusi është për të garantuar mjekë specialistë dhe investime, të cilat do të mundësojnë kujdes shëndetësor afër vendbanimit, kudo në Shqipëri.

Pas 8 viteve mbyllje, prej vitit 2014 janë rihapur specializimet. Në vitet e fundit, qeveria shqiptare është angazhuar për mbështetjen e burimeve njerëzore, përmes një sërë faktorësh, si me rritjen progresive të pagave në shëndetësi; bonusin për mjekët që shërbejnë larg vendbanimit, ku për herë të parë këtë vit janë përfshirë edhe mjekët e përgjithshëm që do t’i bashkohen ekipeve të shërbimit të urgjencës në spitalet bashkiake në zona të largëta; investimet madhore në sektorin e shëndetësisë, duke i mundësuar ekipeve mjekësore të shërbejnë me dinjitet dhe me paga që tashmë janë në nivelet e larta të rajonit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!