Arkivit të Shtetit i shtohen 350 mijë dokumente osmane nga arkivat e Turqisë. Dokumentet datojnë nga shekulli i 15 deri në çerekun e parë të shekullit të XX mbi Shqipërinë dhe shqiptarët. Osmanologu Rrezart Mezani thotë për ABC News se këto dokumente pasqyrojnë dritëhijet e Perendorisë Osmane. Dokumentet pas selektimit do t’i vihen ne dispozicion studiuesve.
Ky është një prej 350 mijë dokumentave të Arkivit Qendror të Perandorisë Osmane që janë dhuruar arkivit Qendror Shtetëror. Osmanologu Rrezart Mezani thotë se dokumenti i përket vitit 1908 dhe se është surprizuar, pasi krijon një perceptim tjetër për Perandorinë Osmane.
Ardit Bido e cilëson arkivin e Stambollit si më të rendësishmin për arkivin shqiptar për këto arsye. Dokumentet e ardhura në Arkivin e Shtetit janë në formë digjitale dhe përfshijnë të 4 vilajetet shqiptare. Osmanologu i vetëm në Arkivin e Shtetit thotë se fillimisht dokumentet do të sistemohen në fondet përkatëse me të njëjtën strukturë si në Stamboll.
Drejtori i Arkivit thotë se dokumente nuk do sjellin ndryshim mbi Perandorinë Osmane në Shqipëri, por padyshim ato sjellin dritëhijet e periudhës me gjuhën e ftohtë të dokumentit. Dokumentet janë të shkruara në 9 kaligrafi të ndryshme në bazë të rëndësisë së personit që dokumenti i drejtohet na shpjegon specialisti.
Dokumentet datojnë nga shekulli i 15 deri në çerekun e parë të shekullit të XX mbi Shqipërinë dhe shqiptarët Pjesa më e madhe e tyre i përkasin shekullit 19 dhe 20, ku tregohet për zhvillimet për Shqipërinë e shqiptarët në Perandorinë Osmane, reformat, kryengritjet shqiptare dhe masat osmane për t’i shtypur ato, çështjet fetare, arsimore, ku madje trajtohet edhe çështja e shkrimit të gjuhës shqipe.
Dokumenti më i vjetër daton më 8 shkurt 1455 dhe është një regjistër që përfshin timare në Rumeli ku përfshihen dhe qytetet shqiptare si Prizreni, Janina dhe Elbasani.
Në mesin e këtyre dokumenteve ndodhet edhe fermani me këshilla administrative që i është sjellë Ali Pashë Tepelenës për të siguruar rregullin dhe qetësinë në kalanë e Pargës, Prevezës, Potrinit dhe Dubnicës, që u rimorën prej francezëve.
Po ashtu, një ndër dokumentet është edhe shkresa e përgjegjësit të Moresë, Ahmet Pashës, ku urdhërohet Kurt Pasha dhe pashallarët e tjerë për të mos lejuar kthimin e shqiptarëve të shpërngulur përsëri në More, pra arvanitasit.
Edhe pjesa tjetër e materialeve të tjera po ashtu janë shkresa, urdhëresa dhe fermane që japin një pasqyrë për zhvillimet politike dhe shoqërore të shqiptarëve nën Perandorinë Osmane, ndërsa ka edhe të dhëna biografike të Ismail Qemalit si nëpunës i administratës osmane./ABC News Albania 24/7