Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se statuti i Asociacionit duhet të jetë brenda kornizës së Kushtetutës së Kosovës.
Madje, ai ka nënvizuar se nëse bashkësia ndërkombëtare si pikënisje të Asociacionit nuk e sheh Kushtetutën e Kosovës, atëherë Kosova s’ka çka kërkon në dialog.
Pas takimit me homologun e tij austriak, Konjufca në konferencë për medie, tha se Serbia po e shkel marrëveshjen të arritur në Bruksel dhe Ohër, derisa edhe po kërkon edhe republikë serbe në Kosovë.
Në anën tjetër, kryetari i Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka, shprehu mbështetjen për rrugën evropiane të Kosovës.
Duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, ai tha se marrëveshja e Ohrit është shumë e rëndësishme dhe se dy palët duhet ta zbatojnë atë.
Si zgjidhje, ai përmendi edhe Tirolin Jugor, ku mund të arrihet një zgjidhje kompromisi.
“Tiroli i Jugut ka treguar se si përmes rrugës së dialogut mund të arrijmë një rezultat të mirë. Kjo mund të vlejë edhe për komunat me shumicë serbe në Kosovë”
/KosovaPress/