Kulluri ironizon PD-në: Euro-atlantizmi i Alibeajt me moton “hapa prapa, jo përpara”

schedule18:52 - 5 Maj, 2023

schedule 18:52 - 5 Maj, 2023

Analisti Edvin Kulluri deklaroi se grupi që bën pjesë në Partinë Demokratike zyrtare, nuk është i qëndrueshëm dhe se kryetari i komanduar, Enkelejd Alibeaj ka mbetur i vetëm me kandidatin për Bashkinë e Tiranës, Roland Bejko.

Në një intervistë për ABC News, Kulluri u shpreh se ata janë të paqëndrueshëm, duke pasur mungesë vijueshmëri dhe karakteri në përpjekjen e tyre për t’u ndarë përfundimisht nga Sali Berisha.

Sipas Kullurit, në parti po vijnë ish-politikanë dhe jo njerëz të tij, teksa shtoi se Alibeaj ka marrë për Partinë Demokratike, parrullën e Partisë Socialiste, por duke e kthyer në “hapa prapa, jo përpara.

“Së pari, zoti Alibeaj ka mbetur i vetëm bashkë me Roland Bejkon. Po ta shikoni, edhe Bardhi, edhe Basha janë zhdukur nga qarkullimi në këtë fushatë, nuk janë. Pra, ish-kryetari i partisë dhe ish-Sekretari i Përgjithshëm, ose nuk janë fare në fushatë, ose shkojnë në mbështetje të kandidatëve të Rithemelimit, siç ndodhi me zotin Bardhi në Vaun e Dejës, çka tregon që niveli perceptik i këtij krahu është shumë i dobët. Janë të paqëndrueshëm, kanë treguar mungesë vijueshmërie, karakteri dhe në përpjekjen e tyre për t’u ndarë përfundimisht nga zoti Berisha. Nuk ndahen dot, sepse problemi që ka krahu i PD-së zyrtare, është që është një grup njerëzish pa orientim, pa projekt politik dhe mbi të gjitha pa këllqe politike.

U mungon vetëpërmbajtja. Po morën nën 10%, siç tregojnë sondazhet, 6 apo 7%, PD zyrtare t’i vërë kyçin selisë, vulës, ta mbyllin, të shkojnë në gjykatë, të grisin letrat dhe të ikin në shtëpi. Me 6-7% nuk e di se si do të mbijetojnë, apo me 10%. Pse them u mungon vetëpërmbajtja? Ti nuk mund të marrësh që njerëz të cilët janë shumë të zotë në punë të vet, një pjesë e tyre, por që nuk kanë asnjë tribut politik prej dekadash. Pra, nuk mund të çpluhurosësh disa personazhe që e kanë pezulluar poilitikën dhe nuk i thonë asgjë demkratëve dhe opinionit publik dhe pastaj t’i shesësh si zgjidhje. Ky është problemi më i madh. Në këtë parti mungojnë këto kualitete sepse nuk është lejuar gara ndonjëherë. Meqë nuk kemi politikanë, por marrim disa ish-politikanë. Kjo punë nuk bëhet me ish, se nuk mund të shkosh përpara, me ish-personazhe publike. Këta kanë marrë parrullën e Ramës për PD-në, e kanë kthyert për së prapthi. Këta thonë, të shkojmë mbrapa, jo përpara. Kjo është formula e këshillit euro-atlantik”, theksoi ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!