Goli i Victor Osimhen do të mbahet mend në historinë e Napolit pasi goli i tij i dha Scudetton e 3-të Napolit ndeshjen e djeshme ndaj Udinese.
Ky sukses erdhi pas 33 vitesh dhe Napoli e arriti këtë gjë falë një futbolli të përkryer në këtë sezon.
Bomberi nigerian, i cili kryeson renditjen e golashënuesve (22), tregon momentin dhe ndeshjen kur ai dhe shokët e tij nisën të besonin realisht te fitimi i titullit.
Ishte 23 tetori i vitit të kaluar. Napoli përballej në “Olimpico” kundër Romës, sfidë që u vendos nga eurogoli i Osimhen në minutat e fundit.
“Ky është një emocion fantastik, kemi pritur shumë vite për t’i sjellë Napolit titullin kampion. Më në fund ia dolëm. Nuk do e harrojmë kurrë këtë ditë të bukur. Në fillim të sezonit nuk na cilësonin favoritë. Askush nuk besonte te ne, por ia dolëm të bashkuar.
Nuk di ta shpjegoj këtë ndjesi, thjesht është e mrekullueshme. Le ta shijojmë këtë moment dhe të festojmë me tifozët tanë. Në ‘Olimpico’ e kuptuam që mund ta fitonim titullin. Luanim përballë Romës, një skuadër e fortë ndaj së cilës luftuam deri në fund. Dhe fituam.
Atje u bindëm se kishim çdo kartë në rregull për t’u shpallur kampionë. Ia dolëm falë mentalitetit të grupit”, u shpreh për Dazn 24-vjeçari./ h.ll/abcnews.al