Konjufca shpreh ngushëllime për dy rastet tragjike në Serbi

schedule11:41 - 5 Maj, 2023

schedule 11:41 - 5 Maj, 2023

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca u ka shprehur sot ngushëllime familjeve të viktimave të dy rasteve tragjike që kanë ndodhur në Serbi.

Ai ka shkruar se rastet e tilla krijojnë pikëllim për këdo, si dhe u ka uruar shërim sa më të shpejtë të plagosurve.

“Shpreh ngushëllimet më të thella për prindërit dhe familjarët e viktimave të dy ngjarjeve tragjike në Beograd! Ngjarjet e tilla janë gjithnjë të rënda dhe krijojnë pikëllim për këdo dhe gjithkund, sidomos kur bëhet fjalë për fëmijë dhe civilë, e sidomos kur një nga këto krime të kësaj natyre të rëndë ndodh në një shkollë.”, ka shkruar Konjufca në Facebook.

Tetë nxënës dhe një roje sigurie janë vrarë të mërkurën nga të shtënat me armë zjarri në shkollën fillore “Vlladisllav Ribnikar” në Beograd. Në oborrin e shkollës është arrestuar nxënësi i kësaj shkolle, K. K. 14-vjeçar, i cili ka plagosur edhe gjashtë nxënës dhe një mësuese.

Ndërsa, sot, tetë persona janë vrarë dhe 14 të tjerë janë plagosur kur një sulmues ka qëlluar mbi ta me një armë automatike në një fshat afër Mlladenovacit, rreth 60 kilometra larg Beogradit, në Serbi./KosovaPress