Partitë e opozitës në Britani kanë bashkuar forcat në përpjekje për të ushtruar presion ndaj kryeministrit Boris Xhonson që të kërkojë një shtyrje tjetër të Breksit. Sipas opozitës, kryeministri nuk mund të anashkalojë Parlamentin në këtë proces të rëndësishëm.
Partitë e opozitës në Mbretërinë e Bashkuar kanë deklaruar se do të përpiqen të miratojnë një ligj që detyron kryeministrin Boris Xhonson të kërkojë një shtyrje të daljes së Britanisë nga BE-ja dhe që parandalon në këtë mënyrë daljen kaotike pa marrëveshje. Mbretëria e Bashkuar po shkon drejt një krize kushtetuese të brendshme dhe njëkohësisht drejt një përplasjeje me BE-në, pasi Xhonson është betuar se do ta braktisë bllokun brenda 66 ditësh pa një marrëveshje, veç rastit nëse Brukseli pranon ta rinegociojë divorcin. Parlamenti britanik do të mblidhet sërish javën e ardhshme dhe po përgatitet për një debat të fortë me Xhonson. Kryetari i laburistëve Xheremi Korbin organizoi takimin me partitë e opozitës ditën e martë, takim në të cilin u ra dakord se miratimi i ligjit që detyron qëverinë të kërkojë një shtyrje të Breksit do të gëzojë mbështetjen e shumicës së ligjvënësve. “Ne do të bashkohemi dhe do të bëjmë gjënë e duhur për vendin tonë”, deklaroi Ana Subri, kryetare e partisë Grupi i Pavarur për Ndryshim. Ajo theksoi se opozita është kundër një kryeministri që nuk ka mandat për të bërë manovrat që ai kërkon dhe që shpërfill parlamentin. Faktikisht, partitë e opozitës po përpiqen të përsërisin atë që bënë më herët gjatë vitit, kur ligjvënësit morën nën kontroll axhendën parlamentare për miratimin e një ligji që detyronte ish-kryeministren Theresa Mej të kërkonte një zgjatje të anëtarësisë së Britanisë në BE. /ABC News Albania 24/7