Policia e Shkodrës ka kapur dhe ka arrestuar autorin e vrasjes së 51 vjeçarit ditën e djeshme në qytetin e Shkodrës.
“Blutë” në bashkëpunim me Forcat Speciale RENEA, ka bërë të mundur vënien në pranga të 34-vjeçarit pas 21 orësh kërkime dhe ndjekje.
Sipas policisë, autori Lekë Vuksani është kushëriri i viktimës, Petrit Vuksani.
LEXO EDHE: Kushëri me viktimën, identifikohet autori i vrasjes në Shkodër
Gazetari i ABC News, Simon Shkreli tha se autori i vrasjes kishte jetuar me qira në banesën e 51 vjeçarit dhe duket se viktima e ka nxjerrë nga shtëpia për shkak të mospagimit të qirave.
51 vjeçari kishte një muaj që ishte kthyer nga Anglia, dhe në momentin e ngjarjes ai ka qenë i vetëm në banesën e tij.
Mes viktimës dhe autorit dyshohet se ka pasur një përleshje fizike dhe më pas autori është larguar dhe ka marrë armën tip automatik, ku ka qëlluar për vdekje 51-vjeçarin.
Autori pas ngjarjes është arritur të pikaset me dron, por fillimisht ka arritur të shmanget, duke u arrestuar 21 orë më pas.
Thuhet se autori ka pasur precedentë penalë, si grindje apo debate, por vepra të rënda penale. Policia ka gjetur dhe sekuestruar armën e zjarrit.
Njoftimi i policisë:
Shkodër
Pas 21 orësh kërkime dhe ndjekje, Policia e Shkodrës, në bashkëpunim me Forcën Speciale RENEA, kap dhe vë në pranga autorin e dyshuar të vrasjes së 51-vjeçarit.
Lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga shtetasi L. V., 34 vjeç, banues në Shkodër.
Policia gjen dhe sekuestron armën e zjarrit automatik me të cilën dyshohet se autori kreu krimin.
Ky shtetas dyshohet se rreth orës 12:15, të datës 02.05.2023, në lagjen “Tom Kola”, vrau me armë zjarri automatik, në banesë, shtetasin P. V., 51 vjeç.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.r.t/abcnews.al