I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, tha sot para raundit të ri të negociatave në Bruksel, se statuti i Asociacionit të komunave me shumisë serbe duhet të jetë i pranueshëm nga të dyja palët dhe në përputhje me standartet evropiane.
“Ekipi menaxhues do të prezantojë draftin. Nuk e dimë se çfarë është në të, por duhet të jetë fillimi i procesit. Në fund të kemi një statut që është i pranueshëm për të dyja palët, si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë, në në përputhje me standardet evropiane. Ky është hapi i parë i rëndësishëm,” i tha Lajçak agjencisë kroate të lajmeve Hina.
Lajçak tha se beson se Vuçiç dhe Kurti do të arrijnë një zgjidhje. “Është e rëndësishme që ata të flasin dhe të dëgjojnë njëri-tjetrin. Mund të them se takimi i parë ishte i vështirë por ata mësuan të bisedojnë me njëri-tjetrin, të dëgjojnë njëri-tjetrin, të mos pajtohen dhe të respektojnë njëri-tjetrin, kështu që shumë e rëndësishme”, shtoi diplomati./abcnews.al