Xhiro nga liqeni, në kafe me miqtë, por disa dhe në punë. Kështu e kaluan 1 majin shumë prej punëtorëve në Tiranë.
Përveç këtij grupi të vogël aktivistësh që dolën në protestë, dita ndërkombëtare që lindi nga lufta e punëtorëve për më tepër të drejta, më shumë sesa një moment ndërgjegjësimi për kushte më të mira pune përgjithësisht kaloi si ditë pushimi.
Kjo sepse sindikatat që i përfaqësojnë kanë kyçur dyert e po shijojnë festën që trashëgojnë prej komunizmit.
Dy grupimet e mëdha sindikaliste në vendin tonë janë Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë dhe Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë.
E para përbëhët nga 9 federata të cilat teorikisht duhet të mbronin interesat e punonjësve në arsim, shëndetësi, miniera, në fushën e mbrojtjes dhe rendit, postë-telekom, elektro-energjetikë, industri, tipografi, ndërtim dhe shërbim publik, por asnjë prej drejtuesve të tyre nuk u pa në sheshet e Tiranës këtë 1 maji. Presidenti i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, Gëzim Kalaja ndodhet në Amerikë.
Grupimi tjetër Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë sipas faqes zyrtare përbëhet nga rreth 130 mijë anëtarë, por këtë të hënë drejtuesit nuk u panë të mbronin as interesat e pjesëtarëve të saj. Dyert i kishin mbyllur.
Presidenti Kol Nikollaj i tha ABC News se ndodhej jashtë Tirane. Mungesën e organizimeve në ditën botërore të punëtorëve e justifikoi me fushatën elektorale. Në të gjithë botën sindikatat e punëtoreve më 1 maj mbushin rrugët me protesta për më shumë të drejta, në Shqipëri këto organizma kujdesen të funksionojnë vetëm në letër.
Nëse pas rebelimit në Çikago më 1880 punëtorët ja dolën të shkurtojnë ditën e punës në tetë orë sot të shumtë janë ata që në vendin tonë pranojnë të punojnë dhe në kushte të vështira se të drejtat e tyre nuk ka kush t’i përfaqësojë.