Arrestohen 2 shtetas rusë në Sarandë

schedule15:58 - 25 Gusht, 2019

schedule 15:58 - 25 Gusht, 2019

Gjatë një aksioni të zhvilluar gjatë 24 orëve të fundit Drejtoria e Policisë së Qarkut Vlorë  në pranga ka vënë 7 persona të dyshuar për kryerjen e disa veprave penale. Uniformat blu në Sarandë kanë arrestuar në flagrancë dy shtetas rusë pasi ditën e djeshme kanë transportuar me jahtin e tyre në det (jashtë pikës doganore Sarandë) në vendin e quajtur “Berdenesh”, 1477 litra naftë, me qëllim që t’iu shmangeshin detyrimeve ligjore doganore.

Ata akuzohen  për “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”, kryer në bashkëpunim. Gjithashtu policia e Himarës ka arrestuar në flagrancë 3 persona të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur në lokalin e shtetases V.C në Dhërmi, një sasi parash prej 50.000 lekë të rinj.

Ata akuzohen për “Vjedhje në bashkëpunim”. Gjithashtu në pranga për vjedhje ka përfunduar edhe një 39-vjeçar nga Tirana pasi dyshohet se në një supermarket në lagjen nr. 4 Sarandë, ka vjedhur një kompresor ajri me vlerë 20.000 lekë të rinj.

Në vijim të aksioneve të ndërmarra nga Policia e Sarandës në pranga ka rënë edhe një 18-vjeçar, pasi dyshohet se së bashku me shokun e tij kanë kanosur me thikë shtetasin D. P., për motive të dobëta, duke i marrë këtij të fundit 2500 lekë të rinj. 18-vjeçari akuzohet për “Vjedhje me dhunë”, “Prodhim dhe shitje të narkotikëve” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!