Trump prish planet e Macron për Iranin

schedule17:00 - 25 Gusht, 2019

schedule 17:00 - 25 Gusht, 2019

Gjatë punimeve të samitit G7, presidenti Trump ka shpërfillur përpjekjet e homologut Macron për uljen e tensioneve me Iranin. Për Trump, presidenti francez mund të flasë sa të dojë me regjimin e Republikës Islamike, administrata amerikane do të ndjekë planet e saj.

Emmanuel Macron dhe Donald Trump nuk e kanë gjetur dot gjuhën e përbashkët në lidhje me Iranin, në punimet e samitit G7. Ka qenë presidenti amerikan që ka shpërfillur përpjekjet e homologut francez për të ndërmjetësuar me Republikën Islamike.

Trump u shpreh i kënaqur që presidenti Macron po mban kontakte me Teheranin, por shtoi se administrata amerikane do të vazhdojë me iniciativat e saj. Liderët europianë janë përpjekur ta sheshojnë konfrontimin mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara që kur Trump tërhoqi vendin e tij nga marrëveshja ndërkombëtare e vitit 2015 dhe rivendosi sanksionet ndaj ekonomisë iraniane.

Macron, që ka nxitur ndërmjetësimin në javët e fundit për të shmangur një përkeqësim të situatës në rajon, kishte thënë për një televizion vendas se liderët e G7-s kishin rënë dakord për një ndërveprim të përbashkët.

Por Trump, që ka zgjedhur një politikë presioni ndaj Republikës Islamike, u tërhoq. I pyetur nga mediat nëse kishte firmosur një deklaratë mbi Iranin që Macron do ta shpallte për llogari të G7-s, Trump tha:  “Nuk e kam diskutuar këtë. Jo”.

Ai shtoi se Macron por edhe liderë të tjerë janë të lirë të flasin me Teheranin. “Ne do të vazhdojmë me planet tona, por nuk mund t’i ndaloj njerëzit që të flasin. Nëse duan, le të flasin”, tha Trump.

Ndërkohë, vetë Macron tërhoqi komentet e mëparshme të tij duke bërë të ditur përmes zyrës së shtypit se G7-a nuk kishte dalë me një qëndrim të përbashkët sa i takon Iranit./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!