Volejboll për femra: Partizani mposht Skënderbeun dhe shpallet kampion i Shqipërisë

schedule08:20 - 29 Prill, 2023

schedule 08:20 - 29 Prill, 2023

Ekipi i femrave të Partizanit në volejboll është shpallur kampion i Shqipërisë duke mposhtur Skëndërbeun në finale, duke i rrëmbyer kështu “kurorën” vajzave korçare.

“Demat e Kuq” triumfuan mbrëmjen e djeshme me rezultatin 3-1 me sete në ndeshjen e luajtur në pallatin e sportit “Asllan Rusi”, duke vulosur kështu edhe finalen e pestë të play off dhe duke e fituar me rezultatin e përgjithshëm 3-2.

Të tria ndeshjet e fituara nga Partizani erdhën në shtëpi, ku faktori fushë ndikoi shumë në rezultate. Partizani ka fituar kështu titullin e pestë në historinë e tij. Tribuna ishte e mbushur plot dhe një ndeshje plot emocione u zhvillua mes skuadrave të vajzave.

Ndeshja nis më mirë për Partizanin, që dominon në setin e parë, duke fituar 25-21. Në të dytin vjen replika e skuadrës korçare, që luan më mirë dhe fiton 25-20, duke barazuar shifrat. Gjithsesi, skuadra kryeqytetase merr sërish frenat e lojës në dorë, duke fituar 25-18 setin e tretë. Partizani nuk e ul ritmin as në setin e katërt, ku ka vazhdimisht epërsi, duke fituar 25-15 dhe krejt ndeshjen 3-1./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!