Me 2 gola e 2 asistime dhe spektaklin që dhuron në fushë në 15 ndeshjet e tij të para si një “djall i kuq”, duket se gjithçka ka shkuar mirë për 18-vjeçarin e talentuar të Manchester United, Alejandro Garnacho, i cili shihet si një “yll” në të ardhmen e klubit, me bordin që vendosi sot t’i rinovojë kontratën deri në vitin 2028 argjentinasit.
Pas firmosjes së kontratës së re, Garnacho ka thënë dhe disa fjalë për mediat, ku padyshim nuk kanë munguar notat e entuziasmit dhe lumturisë, me 18-vjeçarin, që e konsideron një “ndër” që mund të vazhdojë karrierën e tij te Manchester United.
“Kur mbërrita në këtë klub të jashtëzakonshëm, ëndërrova për debutimin tim në “Old Trafford”, golin e parë dhe që të mund të fitoja trofe me këtë skuadër. Jam krenar dhe i emocionuar që kam jetuar tashmë momente të bukura dhe gjithashtu falenderoj familjen time që gjithmonë më kanë mbështetur në çdo hap.
Është një nder që mund të vazhdoj rrugëtimin tim në Manchester United, tashmë po filloj të punoj për qëllimet e mia të radhës. Tekniku Ten Hag dhe stafi i tij më kanë ndihmuar të rritem në çdo mënyrë, me mbështetjen e tyre. Ndjej se po zhvilloj çdo ditë aftësitë që duhen për të fituar. Unë mendoj përpara, mezi pres të krijoj kujtime të veçanta për tifozët tanë me këtë grup të madh”,- u shpreh Garnachi i emocionuar pas ronovimit të kontratës. /i.m /abcnews.al