Tregu ka “uri” për profesionsitë/ Merkuri: Pse nxënësit duhet të zgjedhin arsimin profesional

schedule14:22 - 28 Prill, 2023

schedule 14:22 - 28 Prill, 2023

DURRËS- Nxënësit e shkollës profesionale “Beqir Çela” në Durrës prezantuan sot punimet e tyre të ndryshme në ambientet shkollës.

Drejtori i saj, Fatmir Merkuri, tha për ABC News se praktika e prezantimit të punimeve është kthyer tashmë në traditë.

Ai theksoi se studimet për profilet përkatëse zgjasin katër vjet, ndërsa viti i fundit shërben për të marrë diplomën e maturës shtetërore, krahas atyre profesionale.

Merkuri u shpreh se bizneset kanë kërkesë të etur për specialistë të fushave të mësipërme, duke shtuar se një kualifikim profesional në këtë shkollë, do të thotë treg i garantuar pune për të gjithë nxënësit.

“Është kthyer në një traditë sa i takon panaireve që zhvillojmë. Shkolla profesionale ofron 5 drejtime mësimore, duke nisur me drejtimet më të kërkuara. Drejtimet janë termohidraulika, automekanika, elektrikja, mekanika dhe informatika. Nxënësit e shollës Beqir Çela, edhe në mënyrë të pjesshme janë të punësuar, sepse punojnë pasdite, dhe kjo është vlerësim për shkollën tonë, ne masim performacën e nxënësve tanë në tregun e punës. Shkolla zgjat katër vite. Viti 4 shërben për t’u diplomuar për të marrë certifikatën e maturës shtetërore, krahas certifikatave profesionale”, tha ai.

Kreu i këtij institucioni arsimor profesional tha se ka pasur një interes të shtuar nga ana e nxënësve që të nisin shkollimin në këto profile. Ai theksoi se krahas përmirësimit të cilësisë mësimore është parashikuar ndërtimi i një konvikti për 270 nxënësit e kësaj shkolle, e cila siç thotë Merkuri po përgatit me shumë përkushtim specialistët e së nesërmes.

“Ka pasur investime nga qeveria shqiptare dhe aktualisht është kënaqësi ta them se ne jemi në proces ndërtimi të 32 laboratorëve të rinj të financuar nga Ministria e Financave edhe së shpejti nisim konviktin e ri të shkollës ku do të akomodohet 270 nxënës të shkollës. Garantojmë të gjitha kushtet bashkëkohore sa i takon mësimit profesional”, shtoi ai.

Gjatë intervistës në ABC News, Merkuri u bëri thirrje nxënësve, kryesisht vajzave, që të zgjedhin studimet pranë shkollës “Beqir Çela”. Ai shtoi më tej se nxënësit e shkëlqyer mbështeten me bursë dhe kjo është një shtysë më tepër për ta./n.m.abcnews.al