Këlliçi zgjeron ofertën ‘falas’: Transporti publik falas edhe në zonat rurale të Tiranës

schedule14:12 - 26 Prill, 2023

schedule 14:12 - 26 Prill, 2023

Jo vetëm brenda qytetit, Belind Këlliçi e çon më tutje premtimin për transport urban falas për Tiranën. Kandidati i koalicionit “bashkë fitojmë” thotë se shërbimi i transportit publik falas, do të ofrohet edhe për zonat rurale të Tiranës.

“Sa lekë e keni biletën aty? 1 mijë lekë! Do ta bëjë zero unë pas 14 majit. Ma beso, më shiko këtu, do ta bëj. Për të mos ardhur me biçikletë, për kalamajtë. Kalamajtë, e keni problem e di”

Banorëve të njësisë 8 në kryeqytet u tha gjithashtu se do të përgjysmojë, disa prej taksave e tarifave vendore që aplikohen aktualisht.

“Për hapësirën publike? Ne do ta përgjysmojmë. Kam folur pa fund për këtë punë dhe prandaj po them që do ta përgjysmojmë. Me taksat, me këto, u kanë bezdisur? Do t’i ulim, nuk e di nëse i ke parë. Taksën e infrastrukturës arsimore do ta heqim. Ti hapësirë publike nuk besoj se ke këtu, por një pjesë të taksave do t’i heqim”

Me të, nuk do të ketë as shembje të banesave si deri më tani, u tha kandidati i koalicionit “Bashkë fitojmë”. Dhe se nuk do të zbatojë projektvendimin e qeverisë për shembjen e pallatave mbi 50 vjeçare.

“Banorët do të jenë të qetë se shtëpia nuk do t’i preket. Po e dyta, banorët duhet të dinë se çfarë ndodh. Se edhe mund të ketë pallate që mund të kenë nevojë për ndërhyrje, por kjo duhet vendosur bashkë me banorët. Edhe nëse është për t’u bërë një projekt, ti ta dish. Do ndodhi ky projekt, kam kaq metra katror, kam 80 metra, kam 70 metra, 70 do marr!”