Mesi kthehet në stërvitje me Barcelonën

schedule17:05 - 22 Gusht, 2019

schedule 17:05 - 22 Gusht, 2019

Barcelona shpreson që Lionel Mesi të jetë gati për sfidën e radhës në kampionat ndaj Betisit. Kapiteni ende nuk duket në formën e duhur, ndërsa mbrojtësi Pike do të luajë ndeshjen e 500-të me fanelën katalanase.

Kjo nisje duhet të harrohet sa më shpejt. Barcelona ka vetëm një mënyrë të sigurt për ta bërë një gjë të tillë, që në ndeshjen e radhës ndaj Betisit, ndryshe nga ajo në Bilbao, të ketë në fushë kapitenin.

Lionel Mesi i dha shpresë trajnerit Ernesto Valverde, shokëve të skuadrës dhe tifozëve duke u kthyer në stërvitje me grupin, për herë të parë ditën e djeshme. Deri tani, argjentinasi kishte javë që ushtrohej i vetëm, sipas një programi të veçantë për t’u rikuperuar nga dëmtimi i pësuar.

Kjo nuk mjaftoi për ndeshjen e parë, por edhe për të dytën nuk është i sigurt. Thuajse pa integrim në skuadër, ai nuk ka formën dhe ritmin e duhur për një 90 minutësh.

Kjo do të thotë se në “Kamp Nou”, Valverde mund ta aktivizojë vetëm për një minutazh të kufizuar, me shumë gjasë në pjesën e dytë. Barcelona ka shqetësime, por edhe një moment pozitiv.

Gerard Pike, njëri nga kapitenët, do të luajë ndeshjen e 500-të me fanelën “blaugrana”. Mbrojtësi i qendrës debutoi në Champions në 2008-ën ndaj Vislës së Krakovit, dhe ndeshjen e parë 90-minutëshe e luajti ndaj Santanderit në “Kamp Nou”.

Në 499 ndeshje ai ka shënuar 46 gola, ku spikat ai ndaj Realit në fitoren 6-2 në Madrid, bashkë me festimin e veçantë që ka mbetur në histori. Në 12 vjet ka fituar 29 trofe, dhe shpreson që këtë sezon të kalojë numrin 30./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!