Drejtori i Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë, Petar Petkoviç tha më 23 prill se fitues të zgjedhjeve në veri të Kosovës janë “populli serb në Kosovë, i cili i bojkotoi këto zgjedhje sepse nuk dëshiron okupimin”.
“Kjo është një disfatë për atë pjesë të bashkësisë ndërkombëtare që e mbështeti kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe deklaroi se do t’i njohë rezultatet” e zgjedhjeve, tha Petkoviç në konferencën për media të mbajtur në Beograd, shkruan REL.
Petkoviç tha se, sipas të dhënave të autoriteteve në Serbi, në zgjedhje kanë votuar 13 persona të kombësisë serbe.
Ai i quajti zgjedhjet “antidemokratike dhe jolegjitime”. Petkoviç kritikoi Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) që lejoi mbajtjen e zgjedhjeve në kontejnerë, që ruheshin nga Policia e Kosovës.
Ai po ashtu tha se “nuk ka rrugë të mëtutjeshme drejt normalizimit të marrëdhënieve” mes Kosovës dhe Serbisë pa u themeluar Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
I pyetur se çfarë mund të pritet në takimin mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të paralajmëruar për 2 maj, Petkoviç tha se presidenti i Serbisë “nëse shkon në Bruksel më 2 maj, do të tregojë se mbron popullin serb, paqen dhe stabilitetin me gjithë fuqinë e tij”.