Nedim Bajrami është transferuar këtë vit te Sassuolo pas një transferimi nga Empoli.
Mesfushori shqiptar po luan rregullisht, edhe pse ende nuk ka arritur formën më të mirë, atë që ishte vitin e kaluar te klubi toskan. Ndaj Salernitanas, Bajrami ishte titullar dhe luajti 90 minuta, ku Sassuolo u mposht me rezultat të thellë 3-0.
“E dimë që këtu në Salerno atmosfera është e nxehtë. E përgatitëm mirë ndeshjen gjatë javës, por pësuam shumë shpejt 2 gola. U munduam që të reagonim, por nuk arritëm që të gjenim rrugën e rrjetës”, tha Bajrami.
Ai më pas ka folur edhe për pozicionin ku ndihet më mirë në fushë.
“Mund të luaj si në krah të majtë edhe në të djathtë, por ndihem më mirë në mesin e fushës. Zgjedhjet i takojnë trajnerit dhe unë do të bëj maksimumin sa herë që kërkohet ndihma ime”.
Bajrami më pas foli edhe për formën e tij që po kalon.
“I tillë është futbolli, e rëndësishme është që të jem i vetëdijshëm për cilësitë e mia dhe të stërvitem çdo ditë e më shumë”, ka thënë Bajrami./ h.ll/abcnews.al