Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha se pret që Suedia t’i bashkohet NATO-s së shpejti.
Duke folur në një takim me aleatët kryesorë perëndimorë në bazën ajrore amerikane, Ramstein, në Gjermani, Austin tha: Po vërej se Finlanda, e cila ka marrë pjesë tash e sa kohë në këtë grup kontakti, është sot këtu si aleate e re e NATO-s. Presim që Suedia ta pasojë së shpejti”.
“Ne do të vazhdojmë ta kërkojmë pranimin tuaj të shpejtë në NATO dhe do të punojmë shumë për ta arritur këtë përpara verës”, theksoi Austin duke iu drejtuar homologut suedez, Pal Jonson, shkruan REL.
“Mendoj se kjo, vërtet, është shumë e rëndësishme”, shtoi ai.
Suedia ka aplikuar për anëtarësim në NATO në maj të vitit 2022, së bashku me Finlandën. Ky hap është bërë pak muaj pasi Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës.
Udhëheqja turke vazhdon ta akuzojë Suedinë për mungesë angazhimi kundër “organizatave terroriste” – veçanërisht kundër Partisë së ndaluar të Punëtorëve të Kurdistanit.
Budapesti, nga ana tjetër, ka shfaqur zemërim me kritikat e Suedisë për sundimin e ligjit dhe korrupsionin në Hungari.