Paralajmërimi i SHBA-së, Greqia i mbyll dyert anijes iraniane

schedule21:40 - 21 Gusht, 2019

schedule 21:40 - 21 Gusht, 2019

Greqia duket se është dorëzuar përpara presioneve të Shteteve të Bashkuara sa i takon rastit të anijes-cisternë iraniane “Grace 1”, duke i mbyllur dyert ankorimit të saj në portet helene.

Greqia ka refuzuar të ndihmojë anijen-cisternë iraniane, që së fundmi u la e lirë nga autoritetet në Gjibraltar. Zëvendës ministri i Jashtëm grek bëri të ditur se vendi i tij nuk është i gatshëm të ndihmojë mjetin lundrues të arrijë në Siri, itinerar që ndalohet për shkak të sanksioneve ndërkombëtare.

Lëvizja e Athinës zyrtare vjen pasi sekretari amerikan i Shtetit, Mik Pompeo kërcënoi me sanksione çdo vend që do të ndihmonte cisternën të vijonte kursin e saj. Sipas mediave helene, numri dy i diplomacisë konfirmoi se Shtetet e Bashkuara kishin ushtruar presion që Greqia të mos e ndihmonte anijen.

Ai ka shtuar se, qeveria greke nga ana tjetër nuk ka qenë në kontakt me atë iraniane. Në çdo rast, autoritetet helene deklaruan se mjeti ishte shumë i madh për t’u akomoduar në një nga portet e Greqisë.

Anija u largua nga Gjibraltari ditën e diel dhe u drejtua për në portin grek të Kallamatës. Autoritetet në territorin britanik e ndaluan atë në korrik dhe pavarësisht një kërkese të minutës së fundit të Shteteve të Bashkuara e lanë të lirë atë.

Anija, e njohur me emrin “Grase 1”, mban në rezervat e saj 2 milion fuçi naftë. Më herët Teherani zyrtar kishte deklaruar se ishte i gatshëm të dërgonte njësitë e marinës së tij për ta shoqëruar anijen, që aktualisht ndodhet në veri të portit të Oranit, në Algjeri./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!