Analisti Mero Baze thotë se situata në veri të Kosovës është e tensionuar, pasi serbët nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e së dielës më 23 prill.
Në një intervistë për ABC News, Baze u shpreh se tensioni më i madh në veri, vjen prej politikës dhe jo nga grupet kriminale.
Ndër të tjera, Baze nënvizoi se tensioni buron nga një manovër diplomatike për mënyrën se si do të zbatohet marrëveshja e Ohrit, ku Serbia kërkon fillimisht krijimin e Asociacionit e më pas mbajtjen e zgjedhjeve, ndërsa Kosova kërkon të kundërtën.
“Situata është e tensionuar. Më shumë se e tensionuar, është një situatë që dominohet nga mungesa e legjitimitetit dhe integritetit të zgjedhjeve nga njëra anë dhe nga ana tjetër, nga nevoja politike për t’u zhvilluar ato. I gjithë tensioni në veri buron më shumë, se sa tensioni fizik ose tension i shkaktuar nga grupe rivale të serbëve kundër shqiptarëve, është tension që vjen nga politika për shkak se zgjedhjet nuk plotësojnë kushtet formale për t’u përmbajtur, kurse qeveria e Kosovës ka të drejtën për t’i mbajtur ato për shkak se që nga muaji nëntor i vitit të kaluar, veriu i Kosovës është pa qeverisje vendore.
Kushti i tyre që të marrin pjesë në zgjedhje është që në fillim të shkruhet Asocacioni i komunave me shumicë serbe dhe të largohen forcat policore të Kosovës në veri. I gjithë ky tension buron nga një manovër diplomatike për mënyrën se si do të zbatohet marrëveshja e Ohrit”, theksoi ai./abcnews.al