Fillon dëgjimi i dëshmitarit të tretë, seanca në Hagë po zhvillohet e mbyllur

schedule11:29 - 20 Prill, 2023

schedule 11:29 - 20 Prill, 2023

Në seancë të mbyllur për publikun ka filluar të dëgjohet dëshmia e dëshmitarit të tretë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS), në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK). Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi janë në sallën e gjyqit ndërsa Jakup Krasniqi po e ndjek këtë proces përmes video-lidhjes nga qendra e paraburgimit në Hagë.

Para se dëshmitari të arrijë në gjykatore, trupi gjykues ka bërë të ditur se do të lëshojë një urdhër me gojë, për komentet lidhur me pyetjet që dje gjykatësit i kanë bërë dëshmitarit në fund të seancës.

Përmes këtij urdhri, kryegjykatësi Charles L. Smith ka theksuar se turpi gjykues e ka autoritetin të mbledh provat që i gjykon të domosdoshme për gjykim të drejtë dhe të plotë të kësaj çështje.

Ai ka theksuar se trupi gjykues kur bënë pyetje nuk kufizohet vetëm në materialet që janë renditur në listën e prezantimeve të palës që e ka thirrur dëshmitarin.

“Trupi gjykues rikujton se Dhomat e Specializuara veprojnë në sistemin e drejtësisë së Kosovës. Trupi gjykues duhet të gjykojë dhe funksionojë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe burimeve të tjera që janë përcaktuar në nenin 3 të këtij ligji. Trupi gjykues nuk ka juri, ata janë të mbështetur në fakt dhe në ligj dhe janë gjykatës profesionistë që në mënyrë që të dalin me konstatimet e duhura mund të ndërmarrin të gjitha hapat që gjykohen të nevojshme për të zbuluar të vërtetën, për të bërë këtë turpi gjykues në bazë të nenit 40(9) pika 6 e ligjit, urdhëron nxjerrjen e dëshmive krahas atyre që janë mbledhur paraprakisht apo janë prezantuar para trupit gjykues nga palët”, ka thënë ai.

Pas përfundimit të këtij urdhri, prokurorja Silvia D’Ascoli ka kërkuar që të merret vendim lidhur me një kërkesë të cilën ka theksuar se e kanë përcjellur përmes postës elektronike, por këtu seanca ka vijuar me redaktime dhe pastaj e mbyllur për publikun.

Dëshmitari i cili mban kodin W04421, është dëshmitari i tretë i ZPS-së në gjykimin kundër Thaçit dhe të tjerëve.

Përveç një pjesë të shkurtë të dëshmisë së dëshmitarit të dytë, seancat e tjera në këtë proces gjyqësor janë zhvilluar tërësisht në seancë private.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagës prej nëntorit të vitit 2020.

/KosovaPress/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!