Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka shembur sot në mëngjes bar-restorantin “Panorma” në Porto-Palermo.
Pronari i tij Mihal Kokëdhima u bë i njohur publikisht dhe botërisht disa ditë më parë, pas një skandali me disa turistë spanjollë dhe dy shoqëruesit e tyre shqiptarë, ndaj të cilëve ushtroi dhunë, sepse shprehën pakënaqësi nga shërbimi në lokalin e tij.
Objekti dy katësh dhe me një verandë sipër tij, rreth 2 mijë metër katror, që shërbente si bar- restorant, ishte ndërtuar në një nga zonat më të bukura bregdetare të jugut të Shqipërisë, në gjirin e Porto Palermos. Por ai rezulton të ketë qenë pa leje. Ndërkohë që Mihal Kokedhima shfrytëzonte kundrejt pagesës edhe pjesën e plazhit.
Në këtë operacion, IKMT nuk ka hasur në kundërshtime të qytetarëve. Çdo veprim i saj ka qenë i koordinuar ngushtësisht me policinë e shtetit.
Fadromat e IKMT kanë shkuar pranë lokalit të Kokëdhimës rreth orës 6.00 të mëngjesit të sotëm, ndërsa puna për rrëzimin e ndërtesës ka zgjatur disa orë.
Prej 6 ditësh, që kur Mihal Kokëdhima u vu në pranga pas aktit barbar ndaj turistëve spanjollë, vetë familjaret e tij e më pas policia bllokuan aktivitetin e bar- restorantit dhe plazhit pranë tij. 51 vjeçari Mihal Kokëdhima u arrestua nga policia, pas denoncimit të turistëve spanjollë. Ndërsa të dielën ai doli para gjykatës së Vlorës, e cila caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për Mihal Kokëdhimën.
Që pas publikimit të këtij rasti dhune, në rrjetet sociale nuk kanë rreshtur denoncimet nga qytetarë të ndryshëm vendas dhe të huaj, kundër Mihal Kokëdhimës.
Denoncuesit shprehen për dhunë dhe agresivitet nga ana e tij, çmime shumë të larta në lokal dhe shërbim jo etik ndaj klientëve. /ABC News Albania 24/7