Obeziteti si pandemi/ “U dhjetëfishua tek fëmijët”, mjekët: Shkakton disa sëmundje dhe kancer

schedule19:38 - 18 Prill, 2023

schedule 19:38 - 18 Prill, 2023

Eni ishte vetëm 21 vjeç vjet, kur për shkak të peshës së lartë dhe problemeve jo vetëm fizike që ajo i krijoi, vendosi të niste palestrën. Në qershor vjet ajo ishte 50 kg më shumë se sot.
Mbipesha është një problem që ajo e ndan me shumë të rinj në vend. Dikur një problem i izoluar, sot obeziteti është kthyer në një problem thuajse global, falë edhe rritjes ekonomike dhe mënyrës se si ushqehemi.

“Vitet e fundit niveli i obezitetit në Shqipëri është rritur ndjeshëm. Sipas të dhënave nga INSTAT, gati 21.3% e popullsisë së rritur janë obezë”.

Mjekët thonë se çështja nuk është më vetëm estetike, por edhe shëndetësore. Sidomos tani kur obeziteti po kthehet në një fenomen shqetësues masiv.

“Po ecën me hapa galopante, si një pandemi mbarëbotërore.”, thotë mjekja.

Obeziteti nuk është shqetësim vetëm tek të rriturit.

“Obeziteti po përhapet shumë edhe tek fëmijët. Bazuar nga OBSH është vlerësuar që është trefishuar obeziteti tek adultët, por tek fëmijët është dyfishuar.”, shtoi ajo.

Por obeziteti nuk është thjesht pasojë e të ngrënit. Pasiviteti dhe jeta sedentare e shkaktojnë atë, p;othuajse njëlloj sa ushqimi.

“Shqiptarët nuk janë popull që merren me sport. Sipas një raporti të Institutit të Shëndetit Publik në Shqipëri 84% e të rriturve nuk kryejnë asnjë aktivitet fizik.”

Rezarta Fataj, prej vitesh është trajnuese në palestër, por thotë se të rinjtë shqiptarë nuk janë të interesuar për tu marrë me sport.

“Vinë të rinj të reja, por nuk e kanë të qartë cfarë duan. Mendojnë se me dy muaj do bëjnë trup. Duhet të punosh gjithë vitin.”, thotë Fataj.

Por ky nuk është rasti i Eni Balduvanit. Ajo thotë se ushtrimet fizike i ndryshuan jetën brenda pak muajve.

“Kur kam ardhur këtu kam qenë 120 kile dhe nga shtatori deri tani jam 75, kam humbur gati 50 kile.“, thotë Eni Balduvani.

Humbja e peshës nuk i ka përmirësuar vetëm cilësitë fizike të jetës. Fitnesi i ka kthyer Enit besimin në vetvete dhe jetën sociale. Por në fund fare, e ka futur jetën e saj në rrjedhë normale.

“Të paktën 2.8 milion njerëz vdesin çdo vit si rezultat i mbipeshës dhe obezitetit. Parandalimi i obezitetit kërkon bashkëpunim nga të gjithë anëtarët e komunitetit.”