Rusi/ Ligji i ri lejon njoftimin elektronik për thirrjen në ushtri

schedule21:23 - 15 Prill, 2023

schedule 21:23 - 15 Prill, 2023

Presidenti Vladimir Putin miratoi një ligj të ri që u mundëson autoriteteve të lëshojnë njoftim elektronik për mobilizimin e rekrutëve dhe rezervistëve. Rregullat e deritanishme të shërbimit ushtarak rus parashikonin që ata të njoftoheshin personalisht për mobilizimin në ushtri.

Disa aktivistë për të drejtat e njeriut thonë se ky ligj bie ndesh me Kushtetutën e Rusisë.

Me ndryshimet e miratuara, ushtarët dhe rezervistët nuk do mund të largohen nga vendi pa u paraqitur fillimisht në një komisariat ushtarak. Nëse ata nuk paraqiten deri 20 ditë pas njoftimit, atyre do t’u pezullohen lejet e drejtimit të automjeteve, do t’u ndalohet të shesin apo blejnë prona, apo të marrin kredi.

Sipas Kremlinit, që prej shtatorit të vitit të kaluar, kur Presidenti Putin udhëroi mobilizim mbarëkombëtar, më shumë se 300,000 burra janë thirrur për të luftuar në Ukrainë.

Sipas të dhënave nga revista “Forbes Russia” më shumë se 700 mijë burra janë larguar nga Rusia për t’i shpëtuar thirrjes së detyruar në ushtri.

Analistët në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare me seli në Uashington vlerësojnë se së paku 200,000 trupa ruse janë plagosur ose vrarë në Ukrainë që prej nisjes së agresionit nga Kremlini./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!