Futbolli ka shenjuar jetën e tij. Fushën e blertë Dedë Ndreca e braktisi shumë vonë.
Në fushën e sportit të Mamurrasit, kujton golin e fundit që ka bërë. Lojën në fushë e la në një ditë me legjendën e Liverpool-it, Steven Gerrard, që siç e quan ai atë ditë vari këpucët në gozhdë.
“Futbollin e kam lënë në moshën 49 vjeç. E mbaj mend kam bërë një gol këtu për herë të fundit. E kam lënë në një ndeshje me Steven Gerrard të Liverpool-it”, u shpreh ai.
Teksa kthehet pas në kohë, kujton fitoren ndaj ekipit të tij të zemrës, Partizanit.
“Partizani është ekip i zemrës time. I ndjek çdo ndeshje. Jam përballur në shumë takime. E kam rrahur me shumë dhimbje”, tha Ndreca.
Emocion i paharruar për të mbetet kur ka luajtur me djalin e tij Dritanin në një ekip.
“Emocion kur luan me djalin në një ekip. Duke u zënë babë e djalë në fushë. Kam qenë edhe drejtues duke patur djalin në fushë, por edhe duke luajtur me të”, theksoi ai.
“Një kënaqësi e veçantë të luash me babin në një ekip. Kemi kaluar mirë. Mamurrasi meriton të ngrihet si ekip. Si futbollist nuk kthehem, por si drejtues po”, nënvizoi i biri.
Për Dede Ndrecën, futbolli është vetë jeta. Gjatë kohës kur ka drejtuar bashkinë e Mamurrasit, investimi për sportin në qytet ka qenë prioritet i tij.
“S’mund të lija pa bërë një ekip futbolli. Jeta ime është vetëm futbolli. Ngrita një komision që të ndërtonim stadiumin. Ngirta një ekip të fortë. Kam arritur tre herë në finale për të dalë në superiore”, tha Ndreca.
Ded Ndrecën e duan të gjithë si djalin mamurrzak për gjithçka ka dhënë. Ekipi i futbollit në Mamurras ishte pagëzuar “Qytet i Mimozave”, nga tradita e karheshme se Mamurrasi që shquhet për pemën që lulëzon e para në fillim të pranverës./abcnews.al