Gjermania: Shtensionimi rreth Tajvanit “në interesin tonë”

schedule11:10 - 14 Prill, 2023

schedule 11:10 - 14 Prill, 2023

Gjatë një vizite në Kinë, ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock bëri thirrje për një shtensionim të situatës në ngushticën e Tajvanit.

“Tensionet në ngushticën e Tajvanit nuk mund të na lënë indiferentë”, tha ministrja e Jashtme gjermane në qytetin kinez të Tianjin. 70 për qind e furnizimeve me gjysmëpërçues kalojnë përmes kësaj rruge ujore. “Kjo do të thotë se qasja e lirë në ngushticën e Tajvanit është gjithashtu në interesat tona ekonomike,” tha Baerbock-u.

Prandaj, tensionet në rajon nuk mund të “lënë indiferente Gjermaninë dhe Bashkimin Evropian”. Një përshkallëzim ushtarak midis Kinës dhe Tajvanit do të ishte një “skenar i rastit më të keq” në mbarë botën, por veçanërisht për një komb industrial dhe eksportues si Gjermania, paralajmëroi ajo.

Politikania e Të Gjelbërve reagoi edhe ndaj deklaratave të presidentit francez Emmanuel Macron, i cili, pas një vizite në Kinë, tha duke pasur parasysh SHBA se Evropa nuk duhet të jetë “pasuese” në çështjen e Tajvanit dhe nuk duhet të bëhet “vasale”. Kjo shkaktoi debate të konsiderueshme në botën perëndimore.

Që nga ndarja politike midis Republikës Popullore të Kinës dhe Tajvanit në vitin 1949, Pekini e ka konsideruar ishullin një provincë të shkëputur dhe nuk ka përjashtuar një pushtim ushtarak. Kohët e fundit, ushtria kineze ushtroi rrethimin e Tajvanit në një manovër të madhe tre-ditore.

Lidhur me Macron-in, Baerbock kundërshtoi përshtypjen se BE është i ndarë në politikën e Kinës. Fakti që Macroni vizitoi Republikën Popullore me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen ishte një shenjë e rëndësishme.

Kjo tregon qartë se shtetet anëtare të BE nuk mund të kenë pozicione të ndryshme për partnerin më të madh tregtar të BE-së, duke pasur parasysh tregun e brendshëm të përbashkët, u shpreh Baerbock. Përveç kësaj, Macroni theksoi edhe një herë të mërkurën “se politika franceze ndaj Kinës pasqyron në mënyrë identike politikën evropiane ndaj Kinës”.

Baerbocku, e cila do të zhvillojë bisedime politike në Pekin të premten, theksoi përsëri nevojën për të reduktuar varësinë nga Kina në disa fusha. Ne gjithashtu duhet të nxjerrim mësimet nga sulmi rus ndaj Ukrainës, tha ajo. Por kjo nuk do të thotë shkëputje nga Kina, gjë që do të ishte e pamundur duke pasur parasysh rëndësinë e fuqisë botërore në zhvillim.

Pas vizitës në Kinë, ministrja do të udhëtojë të shtunën në Korenë e Jugut. Të dielën, ajo do të udhëtojë në Japoni për takimin e ministrave të jashtëm të G7./DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!