TIRANË- Kryeministri Edi Rama tha se Partia Socialiste do të bëjë një fushatë elektorale të qetë dhe pa zhurmë, por mbi të gjitha miqësore me mjedisin. Gjatë fjalës së tij, në çelje të fushatës elektorale për zgjedhjet e 14 majit, numri një i PS-së u kërkoi kandidatëve të heqin dorë nga metodat e vjetra duke ngjitur postera nëpër rrugët e qyteteve, pasi sipas tij kjo është një ndotje e madhe dhe e “dhunshme” për mjedisin.
“Duhet të bëjmë një fushatë me sa më pak zhurmë, sa me shumë punë, komunikim dhe njerzillëk. Kemi vendosur të përgjysmojmë minimalisht përdorimin e ekraneve të mëdha të skenave popompoze dhe materialeve propagandistike. Do t’ju lutesha kryetareve të bashkisë, mundësisht jo postera që ngjiten nëpër mure, në rrugët e qyteteve, dhe pastaj mbesin aty zbardhen dhe bien copa copa si lëkurë e zgjebes, ndotëse të shëmtuara”, tha Rama.
Ai tha se kjo qasje do të shkurtojë shpenzimet për propagandë elektorale dhe paratë e kursyera do shkojnë për mbjellje pemësh si donacion për të gjithë bashkitë e vendit.
“Nuk ka nevojë për atë, duhet të bëjmë një fushatë me shumë pak ndotje akustike. Të tjerët kanë arsyen e tyre të bërtasin tyre, të vënë kujën, të hidhen përpjetë, u hedhshin dhe mbetshin në ajër, ne jo, skema arsye ne jo skemi arsye për ndotje akustike dhe as ndotje vizuale. Për të qenë në çdo cep dhe në çdo kthesë me fytyrat dhe sloganet tona dhe as për ndotje gjuhësore, kështu, shkurtimin e shpenzimeve për propagandë elektorale do ta kthejmë në një donacion pemësh në çdo bashki të vendit”, tha Rama.
Më tej, shefi i qeverisë komentoi garën në kryeqytet, ndërsa nuk kurseu batutat me premtimet e kandidatit të “Folotores” për Tiranën, Belind Këlliçit.
“Do e nisim këtu, me 61 pemë, nga donacioni ynë, për Bashkinë e Tiranës dhe Lalin Erin, i cili ka lindur me këmishë, kuptohet. E duan të tërë dhe e duan të gjithë. E duan edhe ata që i dhurojnë rregullisht kandidatin më të lodhur dhe nuk e di si ndodh kjo, dhe këtë herë i kanë gjetur një kandidat sikur i ka humbur fizarmonika. Mua kështu më duket. Shikojeni kur thotë: do t’ju bëj transport falas. Më duket tamam sikur thotë: po ma gjetët fizarmonikën, unë do t’u bëj një xhiro pa lekë”, tha Rama/n.m. abcnews.al